Ngjarje

Britani / Rekord emigrantësh në fundjavë, shumica shqiptarë

Numri i emigrantëve që kalojnë Kanalin Anglez për të mbërritur në Britani të Madhe ka arritur deri tani në më shumë se 40 mijë, tha Ministria britanike e Mbrojtjes.

Sipas shifrave të saj, 972 njerëz, me 22 varka, kanë kaluar kanalin vetëm të shtunën(12 nëntor),duke çuar totalin në 40 mijë e 885.

Ministria e Mbrojtjes tha se shifra është rekord dhe veçoi emigrantët shqiptarë, iranianë dhe ata afganë.

“Gjatë gjithë vitit të kaluar janë regjistruar 28.526 kalime të kanalit – shifër edhe kjo rekord për kohën”, tha ministria.

Shifrat në rritje vënë presion mbi Qeverinë britanike, pasi Partia Konservatore në pushtet e ka bërë trajtimin e emigracionit prioritet kryesor të sajin.

Çështja është bërë, po ashtu, shkak tensionesh me Francën, nga ku nis Kanali Anglez ku dy vendet janë duke bërë përpjekje për të gjetur zgjidhje.

Ato nënshkruan mëngjesin e së hënës(14 nëntor) një marrëveshje me vlerë prej 72.2 milionë eurosh, për forcimin e kontrolleve policore.

Gjithashtu, stafi britanik do të dislokohet në Francë për të parandaluar kalimin e varkave të vogla, përmes të cilëve vetëm në vitin e fundit kanë shkuar në Britani mbi 40 mijë persona, një pjesë e të cilëve shqiptarë.

Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, priti homologen e tij britanike, Suella Braverman, në Paris, për nënshkrimin e marrëveshjes.

“Është në interesin e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe asaj franceze që të punojnë së bashku për ta zgjidhur këtë problem kompleks”, tha Braverman në një deklaratë pas takimit.

Braverman, ditë më parë, e ka cilësuar fluksin e imigrantëve që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar si “pushtim”.Kombet e Bashkuara kanë thënë se komentet e tilla janë “të tmerrshme”.

Mediat në Britani raportuan të shtunën për një protestë të komunitetit shqiptar në Londër kundër komenteve të ministres Braverman.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë