Nga Gazeta ‘SI’ – Emigrantët shqiptarë kanë sjellë në atdhe 817 milionë euro nga janari në shtator 2025, ose 5.7% më shumë se vitin e shkuar.
Banka e Shqipërisë raporton se vetëm gjatë verës, korrik-shtator emigrantët kanë dërguar rreth 285 milionë euro në Shqipëri, vlerë rekord.
Pas një ngadalësimi në periudhën e pandemisë, dërgesat nga jashtë kanë ardhur në rritje, si efekt edhe i emigracionit në rritje të shqiptarëve.
Eurostat e llogarit Shqipërinë si një ndër ekonomitë më të varura nga remitancat, që përbëjnë rreth 10% të PBB-së së vendit. Vlerësohet se burimi kryesor i remitancave për Shqipërinë janë vendet e Bashkimit Europian.
Si një vend i lidhur ngushtë me remitancat, anëtarësimi në SEPA, pritet t’i ‘kursejë’ shqiptarëve 20 mln euro. Përmes SEPA-s, ku Shqipëria u fut zyrtarisht para pak muajsh, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryejnë pagesa dhe transferta ndërkufitare sikur të ishin qytetarë të Bashkimit Europian dhe anasjelltas.
Ndërkohë, pak muaj më parë, një studim i Qendrës ALTAX, gjeti se dëmi që ka shkaktuar emigrimi masiv i shqiptarëve, nuk amortizohet dot nga dërgesat e parave që ato sjellin në atdhe. Remitancat kanë një ndikim në konsum 7-8% të PBB-së me një ndikim kryesor në ekonomitë e vogla, por pa një peshë ndikuese në rritjen ekonomike formale. Te ndikimi në treguesit ekonomikë të vendit, shihet se emigracioni ka pakësuar me të paktën 12-15% ofertën e punës në treg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




