Edi Reja, trajneri i Kombëtares shqiptare, ka ndjekur nga afër për disa orë stërvitjen e grupmoshave U-13, U-14 dhe U-15 në Shkodër. Ai ndodhej në qytetin verior bashkë me dy ndihmësit e tij Serxhio Porrini dhe Ervin Bulku, si edhe drejtorin teknik Xhankarlo Kamoleze. I pranishëm ishte edhe specialisti i ekipeve kombëtare Sulejman Mema.
Trajneri italian ka vlerësuar punën që po bëhet me përfaqësueset rajonale nga federata. Reja është shprehur se gjithë stafi i tij do të jetë i angazhuar në ndihmë të futbollit të moshave. “U ndjeva shumë mirë në Shkodër. Pashë pothuajse 100 lojtarë që stërviteshin me entuziazëm për fanellën që mbanin veshur. Gjithҫka ishte e organizuar shumë mirë. Puna ecën përpara, përtej vështirësive momentale. Kjo është pjesë e projektit të drejtorit Kamoleze, unë mund vetëm të jap këshilla, orientime nga pikëpamja teknike.

Do të flasim me drejtuesit e federatës për t’u dhënë një linjë dhe një program të qartë. Do të ndikojmë më shumë me përfundimin e pandemisë, me stafet tona që do të jenë shumë herë më të pranishme pranë përfaqësueseve rajonale për të hedhur piketa të rëndësishme për një të ardhme të mirë”, – tha Reja mes të tjerash. Ditët në vazhdim ai do të ndjekë edhe seleksionimet për Kombëtaret U-18, U-19 dhe U-20.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




