Gazeta Si – Pas barazimit me Estoninë, trajneri Reja renditi një sërë faktorësh që ndikojnë në këtë lloj paraqitjeje të Kombëtares. Faktorë që kanë të bëjnë me anën teknike të skuadrës, por edhe me mendësinë.
“Të gjesh stimuj në këtë periudhë është e vështirë. Duhet respekt për djemtë që qëndruan, ata që u larguan ishin shumë të lodhur. Krijuam diçka sot dhe desha të shihja ndonjë të ri. Pashë disa gjëra që më pëlqyen.
Këto ndeshje janë të tilla, nuk arrin të gjesh motivim. Edhe publiku nuk ishte i shumtë për të stimuluar djemtë. Dukej si ndeshje përgatitore e gushtit.

Nuk më pëlqen fakti që shkojmë pak në fundore. Duhet shpejtësi dhe kur gjen skuadra të mbyllura, duhen lojtarë driblues. Nuk kishim forcën të tentonim këtë lloj loje”, – theksoi Reja fillimisht.
Mes të rinjve që luajtën sot, ai evidentoi Bajramin dhe Muçollin: “Më pëlqeu Bajrami, është një lojtar që ka cilësi të mira teknike, Muçolli është një lojtar tjetër, ndaj të cilit të jemi të vëmendshëm.
Po mundohemi të afrojmë sa më shumë lojtarë të fortë. Po monitorojmë të rinj të tjerë, të cilët janë ende të vegjël dhe nuk janë të gatshëm fizikisht”.
Për çështjen e skemës, trajneri italian tha: “Çdo gjë mund të bëhet, mund të ndryshojmë. Ndryshova duke vendosur 4 mbrapa dhe humbëm ekuilibrin. Jemi mësuar të luajmë në këtë mënyrë dhe kemi siguri.
Broja duhet të jetë më konstant, prisja diçka më shumë prej tij. Edhe Seferin e vendosa me Vrionin, por nuk kemi ende atë lojtar që na zgjidh problemet. Për momentin jemi një skuadër e mirë, mund të luajmë ndaj kujtdo me kokën lart.
Jo me ekipe si Franca dhe Gjermania, por si Polonia dhe Hungaria. Duhet të krijojmë një grup të fortë dhe të kemi një ndjenjë ndaj Kombëtares. Kështu fitohet.
Kur erdha te Shqipëria, duke folur me lojtarë si Gjimshiti e Veseli, më thanë djemtë ‘duam siguri se me 4 mbrapa na fusin gola nga të gjitha anët’. Ne duhet të punojmë në mesfushë e para. Nuk ka të bëjë kjo me zgjedhjet e mënyrës së lojës, por me cilësitë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




