Këtë herë ishte shumë më i qetë se para ndeshjes me Hungarinë trajneri Reja. Sigurisht, ajo fitore ka larguar presionin nga trajneri italian i kuqezinjve, i cili kërkon vlerësim maksimal të kundërshtarit të nesërm, San Marinos.
“Nuk mund t’i marrim lehtë ndeshjet. Ndaj San Marinos do ta kemi të vështirë, është ekip i organizuar dhe duhet përqendrim dhe lojë e mirë. Duhet t’u lëmë sa më pak hapësira, sepse janë të rrezikshëm. Kjo është ndeshja jonë vendimtare dhe nuk mendoj asgjë tjetër, pavarësisht se Polonia luan ndaj Anglisë. Mendoj vetëm për sfidën tonë. Kemi konkurrentë të fortë në grup, Hungarinë që ju e patë se është e fortë fizikisht. Edhe Polonia është e forte, ka kualitet.
Kemi pasur rritje, e kemi treguar në ndeshje dhe mendoj se çelësi është ndryshimi i mentalitetit të Shqipërisë. Pas ndeshjes me Hungarinë kam thënë se sulmuesi është mbrojtësi ynë i pare. Kemi bërë edhe gabime që duhet t’i analizojmë sa më mirë. Duhet të kemi përqendrimin e duhur dhe nëse ia dalim mbanë, do luajmë shanset tona deri në fund”, – u shpreh fillimisht Reja.
Ai pranoi se ndaj San Marinos do të ketë ndryshime në formacion: “Sigurisht që do të ketë risi ndaj San Marinos, Abrashi dhe Gjasula nuk janë. Nuk do çbalancohemi shumë, do të shoh dhe si luan San Marino për të zgjedhur formacionin. Do të shoh deri në mbrëmje edhe gjendjen e lojtarëve që kanë pasur dëmtime. Ata që rikthehen do na japin një dorë, Hysaj, Bare dhe Manaj.
Kushdo që luan, duhet të japë maksimumin. Broja hyri nga stoli dhe shënoi, janë shumë ndeshje, janë 3 ndeshje në 7 ditë dhe jo të gjithë e përballojnë. Grumbulloj gjithmonë 5 sulmues në raste të tilla me shumë ndeshje. Të shohim për Cikalleshin dhe Balajn, nëse nuk kanë probleme fizike. Me Hungarinë praktikisht kemi luajtur me tre sulmues dhe ata duhet të sakrifikojnë shumë, si shembulli i Balajt dhe Uzunit. Më pëlqejnë sulmuesit që sakrifiokojnë dhe ndihmojnë mbrojtjen, jo ata që qëndrojnë vetëm në sulm. E kemi provuar edhe sistemin e lojës me Bajramin dhe Baren së bashku.
Për të marrë pikët ndaj San Marinos duhet të bëjmë një ndeshje të madhe. Ajo që më intereson mua është se dua lojën dhe tri pikët. Në ndeshjen e parë me San Marinon u deshën 70 minuta për të arritur te goli i parë. Mua më intereson të rritemi akoma. Pas një viti kemi krijuar një identitet në lojën tonë. Pas këtyre eliminatoreve dhe të bëjmë llogaritë tona”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




