Kombetarja

Reja shpreson për një ndeshje me shumë gola ndaj Italisë

Gazeta Si – Shqipëria përballet me kampionët e Europës të mërkurën, trajneri Edi Reja me vendin e tij. Një ndeshje e veçantë për të dhe për kuqezinjtë, të cilët duan të tregojnë veten ndaj Italisë.

Në konferencë shtypi Reja foli me vlerësim për kolegun Mançini dhe Italinë. Ai theksoi se dëshrion që skuadra jonë të bëjë më të mirën, të paraqitet në nivelin e duhur përballë një ekipi si Italia.

“E kam përdorur skemën 3-5-2 te Napoli dhe kam pasur sukses. Këtë modul përdorin tani edhe Mançini e Konte, të cilët njihen si inovatorë. Mançini ka gjetur ekuilibër me këtë skemë, ashtu si dhe ne, ndaj dhe nuk kemi pse ndryshojmë. Kjo mënyrë loje na jep garanci.

Italia? Mançini po punon për të ardhmen dhe kjo është normale. Më vjen shumë keq që Italia nuk shkoi në finalet e Botërorit për shkak të disa episodeve që e penguan në eliminatore. Tani ai po merr lojtarë të rinj dhe besoj se po bën mirë.

Ndihem shumë mirë në Shqipëri, por jam italian dhe e dua Italinë. Kur Italia të luajë me një skuadër tjetër, do bëj tifo për të, kurse nesër nuk është ky rasti. Dua të bëj punën time te Shqipëria, dua të marr një rezultat të mirë, ndoshta një 3-3. Do ishte një ndeshje me shumë gola për të kënaqur edhe tifozët”, – ka theksuar Reja mes të tjerash.

Për Shqipërinë mungojnë në këtë ndeshje lojtarë si Gjimshiti dhe Balliu. I gatshëm do të jetë Myrto Uzuni, i cili ka marrë leje nga klubi i tij në Spanjë, Granada.

Në konferencë shtypi foli edhe kapiteni Etrit Berisha, i cili u shpreh se Shqipëria nuk i frikësohet Italisë dhe se do të përpiqet te mos përsërisë gabimet e së kaluarës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë