Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, duket se e ka marrë shumë seriozisht punë për evidentimin e talenteve të futbollit shqiptar. Pas vëzhgimit te grumposhat në Shkodër, ai është spostuar në Kamzë, në qendrën e ekipeve kombëtare, ku Kombëtarja U-17 ka bërë një seleksionim me lojtarë të përzgjedhur të kampionatit.

Ishin të pranishëm në këtë seleksionim 49 lojtarë të datëlindjeve 2005-2006. Reja ka mbajtur shënime edhe këtë herë, bashkë me drejtorin teknik të FSHF-së, Xhankarlo Kamoleze. Në një prononcim për mediat, trajneri kuqezi për këto seleksionime është shprehur:
“Po shoh lojtarët e rinj, ishim në Shkodër, ku bëmë disa seleksionime në zyrat rajonale të FSHF-së dhe mund të them se jemi në fillimin e seleksionimeve në sektorin e të rinjve. Pastaj do të bëjmë dhe një turne në Zagreb, që do na japë mundësinë të bëjmë krahasimet me ekipet e tjera kombëtare të moshave për të kuptuar nivelin e të rinjve tanë.
Ky është vetëm fillimi i punës. Ka djem me cilësi si nga ana fizike, ashtu edhe teknike. Sigurisht, duhet vazhdimësi, duhet organizim mbi të gjitha nga ana taktike. Duhen gjetur stërvitjet e duhura në mënyrë që në të ardhmen këto kapacitete të zhvillohen. Niveli është mjaft i mire, nga ana teknike pashë gjëra që më pëlqyen. Duke parë seleksionimet, grupmoshat e 2005-ës janë më të formuar fizikisht”.
Trajneri Rejaka folur edhe për Kombëtaren dhe konkretisht për të rinjtë që po ndjek. “Për Kombëtaren duhet të presim dhe të shikojmë. Kam propozuar rreth 30 emra, në mënyrë që të fillojnë të përgatiten edhe autorizimet për të shkuar në Angli. Jam në proces vlerësimi dhe mund të përfshij edhe emra të tjerë. Grupin e kam pothuajse të formuar, por do më pëlqente të përfshija edhe të tjerë, sidomos në ndeshjet miqësore.
Kam pikasur disa lojtarë të rinj të vitlindjeve 2000 dhe 2001. Të shikojmë, nëse do të pranojnë të vijnë në Shqipëri, pasi dikush është nga Kosova, një tjetër nga Republika e Maqedonisë së Veriut, prandaj ka edhe problematika. Jo të gjithë janë shqiptarë. Kemi krijuar një listë me një grup lojtarësh që aktivizohen në Itali, grupmosha 2004, 2005, 2006, të cilët janë shqiptarë dhe nuk paraqesin probleme”, – tha Reja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




