Humbjen në Poloni ndoshta e priste trajneri Edi Reja, por jo në këto parmasa. Ai u shfaq shumë i zhgënjyer nga rezultati, por edhe me disa gabime të pafalshme të të tijve, që patën kosto të lartë.
“Pësuam gol, por reaguam mirë dhe barazuam lojën. Më pas u goditëm sërish. Bëmë gabime në mbrojtje, në goditjet standarde. Polonia luajti shumë mirë në kundërsulm. Duhet të theksoj se ndonjëherë bëhemi shumë naivë në lojë me disa gabime të pafalshme. Nuk mund ta mbash topin, kur nuk ke mundësi ta mbash, mund ta nxjerrësh jashtë vijave”, – u shpreh trajneri italian.
Reja nuk përmendi emra të përveçëm, por me siguri i referohet mbajtjes së tepruar të topit disa herë nga Bare, nga Hysaj në aksionin e golit të parë të polakëve, kur shkaktoi faull pasi humbi topin dhe u ndëshkua me karton të verdhë, duke humbur ndeshjen e radhës, si dhe rastit të Kumbullës te goli i tretë i Polonisë, ku mbrojtësi i Romës mund ta largonte jashtë topin. Janë vërtet tre gabime naïve, që ndikuan drejtpërdrejt në rezultat.

Gjithsesi, trajneri Reja u shpreh se “Shqipëria nuk ka vdekur akoma”. Ai e ka të qartë se ndeshja e 5 shtatorit me Hungarinë në “Elbasan Arena” duhet fituar patjetër. Mungojnë lojtarë me peshë si Hysaj dhe Manaj, por alternativat janë dhe italiani duhet të gjejë formulën fituese. Një dorë na e ka dhënë edhe Anglia, që fitoi 0-4 në fushën e Hungarisë, rivales sonë. Pas 4 ndeshjesh, Shqipëria mban vendin e 4-t në grup me 6 pikë, por është vetëm 1 pikë pas Polonisë dhe Hungarisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




