Kombetarja

Reja kthen 3 “veteranë”, Bare dhe Strakosha mungesat e mëdha

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ka shpallur listën e lojtarëve të grumbulluar për tri ndeshjet e radhës, miqësoren vëllazërore me Kosovën më 11 nëntyor dhe ato dy zyrtare me Kazakistanin më 15 nëntor dhe Bjellorusinë më 18 nëntor, ku vendoset fati i grupit në Ligën e Kombeve.

Bie në sy menjëherë rikthimi i tre lojtarëve me shumë përvojë në radhët e kuqezinjve, mesfushorit Ledian Memushaj dhe dy sulmuesve Sokol Cikalleshi dhe Bekim Balaj, të cilët kanë munguar në ndeshjet e fundit. Sigurisht, Kombëtarja ka nevojë për përvojë në dy ndeshje vendimtare për kreun e grupit dhe trajneri Reja e di mirë këtë gjë. Atij i duhen pikët maksimale. Në fakt, ritkhimi i Memushajt është i diktuar edhe nga mungesa e Keidi Bares, një lojtar kyç për formacionin kuqezi. Memushaj mund ta ndihmojë shumë skuadrën, pasi është një lojtar që mban topin dhe ekzekuton goditjet standarde.

Lista e trajnerit Reja. Gazeta Si, 7 nëntor 2020

Rikthime në Kombëtare janë edhe ato të mbrojtësit Ardjan Ismajli dhe sulmuesit Myrto Uzuni, të cilët kanë pasur probleme shëndetësore që tashmë i kanë kaluar. Konfirmohen në listën e trajnerit Reja lojtarët e rinj të grumbulluar në ndeshjet e fundit, si Sherif Kallaku, Enis Çokaj, Ramen Çepele, Armando Broja dhe Albi Doka.

Mungesë tjetër e rëndësishme, përveç Bares, është ajo e portierit Tomas Strakosha, i cili, bashkë me dy shokë skuadre te Lacio, janë në qendër të një debati në Itali sa i takon tamponëve të Covid-19, ku përgjigjet kanë qenë të ndryshme. Reja ka grumbulluar portierin tjetër të Lacios, Marko Alia, përveç Berishës dhe Hoxhës. Mungon këtë herë në listë edhe mbrojtësi i PAOK-ut, Enea Mihaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë