Goglat nuk i sollën fat në shortin e kualifikueseve të Botërorit Shqipërisë, që duhet të sfidojë skuadra të mëdha si Anglia dhe Polonia e Levandovskit, por edhe Hungarinë që ka një skuadër të fortë, për të shkuar në Katar. Shumë e vështirë, por jo e pamundur, siç ka pohuar edhe trajneri Edi Reja.
Trajneri italian ka komentuar shortin, që e ka konsideruar si më të vështirin e mundshëm. Reja do të preferonte grupin e Kroacisë ose atë të Danimarkës, ku sipas tij, kuqezinjtë do të kishin mundësi më të mëdha kualifikimi. “Grupi më i keq që mund të na binte, ai i Kroacisë ishte më i përshtatshëm, kurse i Danimarkës do të ishte ideali. Një grup thuajse i pamundur, por nuk dorëzohemi, do të luajmë mundësitë tona. Me Hungarinë është e pamundur të zhvillojmë miqësore dhe do gjejmë një zgjidhje tjetër në qershor.

Për Anglinë nuk ia vlen të flasim, e njohim të gjithë. Do të luajmë mundësitë me Poloninë dhe Hungarinë. Shpresoj të tregojmë rritje në ndeshjet tona dhe shpresoj shumë që kur të fillojmë këto ndeshje pandemia të ketë përfunduar dhe të kemi tifozët tanë në stadium. Ata mund të na japin një ndihmë të madhe në këto kualifikuese”, – theksoi fillimisht trajneri i Kombëtares, Reja.
Më pas, duke u fokusuar tek objektivi që do të ketë Shqipëria në këto kualifikuese, italiani tha: “Do të tentojmë gjithçka, por është e vështirë. Nëse do të renditemi të tretët, do të thotë se kemi rritje. Janë ndeshje me rivalë, që do të na japin eksperiencë. Nëse nuk arrijmë Botërorin, do të bëjmë gjithçka që të kemi një skuadër gati për Europianin e 2024. Sot votova si lojtarin më të mirë Robert Levandovskin, uroj të mos jetë në formë në ndeshjen ndaj nesh.
Në futboll nuk ka rezultat të sigurt. Askush nuk niset i mposhtur, edhe me Anglinë do të provojmë shanset tona. Do luftojmë deri në fund për maksimumin. Do ketë spektakël me Anglinë, shpresoj që kur të vijë në Tiranë, të kemi tifozët, pasi me ta karikohemi dhe bëjmë më të mirën. Pres që lojtarët të rriten gjatë kësaj periudhe. Kemi bërë ndeshje shumë të mira dhe kemi treguar rritje, me përjashtim të Lituanisë. Jam i bindur që do bëjmë ndeshje të mira, nëse lojtarët janë në gjendje të mirë kur të grumbullohen”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




