Elvis Rexhbecaj është një nga lojtarët e piketuar nga trajneri i Kombëtares, Edi Reja, për ta veshur kuqezi. Por 23-vjeçari i lindur në Prizren, me nënshtetësi gjermane dhe kosovare, ka refuzuar t’i bashkohet Shqipërisë.
Rexhbecaj luan me Këlnin në Bundesligë. Ai është titullar dhe aktivizohet në qendër dhe në të majtë të mesfushës, aty ku është edhe një nga pikat e dobëta të Kombëtares aktualisht. Trajneri Reja ka aktivizuar në këtë pozicion Hysajn, Roshin dhe Trashin, por me sa duket, kërkon një lojtar më adapt dhe për këtë ka kërkuar Rexhbecajn.

Trajneri kuqezi kishte ngarkuar Hamdi Salihin, një nga ndihmësit e tij, për të biseduar me Rexhbecajn. Ish-sulmuesi i Kombëtares i ka kërkuar një takim lojtarit të Këlnit, që e ka refuzuar ftesën, pasi duket se joshet shumë nga fanella e Gjermanisë. Më parë ai ka qenë pjesë e ekipeve të moshave të Gjermanisë dhe tani ëndërron edhe kombëtaren e madhe.
Në fundjavë trajneri i Kombëtares do të publikojë listën e lojtarëve të grumbulluar, ku një nga risitë do të jetë Nedin Bajrami i Empolit, i cili ndryshe nga Rexhbecaj, ka vendosur të lërë Zvicrën dhe të vishet kuqezi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




