Gazeta Si – Pas barazimit 1-1 në Islandë, trajneri Edi Reja vlerësoi vetëm pjesën e parë të të tijve. Ai pranoi se skuadra hasi vështirësi për të goditur portën, ndërkohë që nuk e fshehu zhgënjimin për gabimin te goli i pësuar.
“Në pjesën e parë luajtëm mirë dhe kaluam në avantazh. Në fillim të pjesës së dytë dhuruam golin e barazimit dhe komplikuam gjithçka. Nuk bëmë asgjë nga ato që duhej të bënim. Më pas u mbyllëm, ndërkohë që mund të sulmonim më shumë.

Në pjesën e dytë patëm një rënie dhe nuk ishte e lehtë të shkonim sërish te goli. Roshi nuk ishte mirë, për shumë ditë nuk u stërvit me grupin. Kishte temperaturë dhe nuk ishte në gjendje të luante, nuk mund të rrezikoja.
Bajrami? Nuk është çështje skeme. Bëra dy zëvendësime në sulm, pasi të gjitha dyluftimet po i fitonin islandezët. Për pjesën tjetër manovra ishte e organizuar shumë mire. Ishim shumë herë pranë zonës. Nuk bëmë gjuajtje, ndonëse shkuam shumë shpesh në zonën kundërshtare.
Duhet të shohim përpara, kemi një ndeshjen me Izraelin, ku do të kërkojmë të marrim fitoren. Fakti që pësuam gol 4 minuta nga nisja e pjesës së dytë ishte fatkeqësia jonë. Duhej ta mbanim avantazhin të paktën për 15 minuta.
Janë gabime të pafalshme, që duhet t’i shmangim. Pas barazimit ata dolën në lojën që donin të bënin. Janë shumë të fortë fizikisht dhe në kundërsulm bëhen të rrezikshëm”, – theksoi Reja mes të tjerash.
Gjimshiti kërkon ndjesë
Mbrojtësi Berat Gjimshti ka kërkuar ndjesë për gabimin e rëndë pas ndeshjes: “Për mua është rezultat i keq. Në pjesën e dytë bëmë shumë gabime. Te goli gabova unë dhe i kërkoj falje skuadrës. Duhej ta kisha hequr topin më mirë.
E kishim mundësinë ta fitonim ndeshjen. Ata Ishin më agresivë, kemi shumë humbur duele. Islanda kishte më shumë besim në pjesën e dytë. Gabova teknikisht, doja ta hiqja topin dhe e dhashë si një assist. Ne që kemi më shumë eksperiencë duhet të ndihmojmë të tjerët.

Kishim ardhur me qëllimin ta fitonim ndeshjen. Kemi skuadër me cilësi dhe duhet të jemi të vetëdijshëm në atë që duhet të arrijmë. Do t’ia dalim, nëse nuk bëjmë ato gabime”, – tha mbrojtësi i Atalantës.
Edhe mesfushori Klaus Gjasula pohoi pas ndeshjes goli i barazimit nga Islanda e ngatërroi ndeshjen e kuqezinjve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




