Kombetarja

Reja i çliruar: E merituam! U rikthyem në garë, luajmë shanset tona deri në fund

Mund të jetë edhe fat, por është fakt që trajneri Edi Reja arrin t’i fitojë ndeshjet vendimtare me Shqipërinë. Kështu bëri më Bjellorusinë pak kohë më parë, kur kuqezinjtë fituan dhe kapën vendin e parë në Ligën e Kombeve. Kështu bëri edhe sot me Hungarinë, në një ndeshje rivalësh, ku fitorja ka vlera të dyfishta. Edhe pse me mungesa, italiani ia doli, pa mohuar aspak meritën e lojtarëve.

Për hir të së vërtetës, edhe në Poloni skuadra jonë paraqiti një nivel relativisht të mirë loje, por pagoi disa gabime individuale. Pas fitores së sotme, Reja theksoi: “Kemi bërë një ndeshje të mirë. Në pjesën e parë krijuam raste, duhej të konkretizonim më parë, por erdhi ky gol që na çliroi. Duhet t’i njohim meritat Hungarisë, që luftoi dhe na bëri të vuajmë me topa të gjatë.

Lojtaret e Kombetares pershendesin tifozet pas fitores. Gazeta Si, 5 shtator 2021

Të mundësh Hungarinë që ka luajtur në Europian, nuk është pak. Vuajtëm fizikisht, por gjithçka e merituam. Djemtë ishin të fokusuar me kokë dhe zemër. Në mbrojtje ishim mirë, kurse përpara duhet të jemi më konkretë, sepse humbëm mundësi të mira. Broja? Ka shënuar edhe Çikalleshi, të shohim. Nëse Broja luan titullar me klubin, duhet marrë në konsideratë. Ai ka aftësi të mira, ka talent, por duhet përmirësuar në disa aspekte. Kombëtarja nuk është si klubi, aty ke kohë për gjithçka, këtu jo.

Loja jonë ishte e mirë, por duhet administruar më mirë topi. Edhe kur shënuam duhej të mbanim më mirë topin. Një skuadër në avantazh duhet të luajë me më pak presion. Megjithatë, ishte ndeshje vendimtare dhe u kthyem në garë, treguam se jemi gjallë. Brojës i thashë të mbante pozicionin në ato 20 minuta, të punonte për ekipin. Ai bëri mire duke gjetur pozicionet dhe duke u krijuar lehtësi mesfushorëve. Kur të mësojë të bëjë gjërat edhe pa top, do të bëhet një lojtar i kompletuar.

Kemi shumë lojtarë dhe nuk ka titullarë dhe zëvendësues. Unë bëj zgjedhjet, nëse i pranojnë mirë, përndryshe rrinë në shtëpi. Objektivi? Do të luajmë shanset tona, tani kemi San Marinon. Pastaj luajmë shanset me Poloninë, duhet të hakmerremi për humbjen e rëndë. Derisa ka shanse, do të luajmë deri në fund”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë