Trajneri Reja doli sot në konferencën zyrtare për shtyp para ndeshjes me Poloninë bashkë me Berishën, duke eleminuar kështu menjëherë dilemën e portës. Italiani theksoi mes të tjerash se Shqipëria ka elementë mjaft të mirë dhe se skuadra është përgatitur, ndaj dhe do të hyjë në fushë me idenë për fitore.
Në fillim trajneri i kuqezinjve foli për kundërshtarin: “Do jetë ndeshje shumë e fortë. Polonia ka një traditë shumë të mirë, në fushën e saj ka 7 vite që nuk humb. Jemi të ndërgjegjshëm që është një ekip që ka vlera, por ne po rritemi si skuadër, kemi bërë paraqitje shumë të mira dhe kemi qenë kompaktë. Në sulm lojtarë që janë në formë shumë të mirë, për mbrojtjen kemi marrë gjithmonë komplimente. Mund të luajmë shumë mirë edhe në kundërsulm, si në ndeshjet e fundit. Gjithsesi, është një ndeshje që kërkon përqendrim shumë të madh.
Presingu nuk fillon në mbrojtje, por në fazën ofensive, në mënyrë që t’i hapim probleme Polonisë. Nuk na lejohet asnjë gabim. Duhet kujdes për të mos lënë hapësira dhe për të goditur në kundërsulm. Levandovski? Duhet të jemi të organizuar shumë mirë për ta markuar, sepse ai i sulmon hapësirat në mënyrë të shkëlqyer. Nuk mjafton një lojtar, duhet të mbrojmë në grup mire. Nuk mund t’i japim hapësirë këtij lojtari, që nuk fal kurrë. Uroj të mos ketë rendimentin që ka në klub”.

Kur u pyet për objektivin e kësaj ndeshjeje, Reja u përgjigj: “Kur futesh në lojë, nuk futesh me idenë se do humbasësh, por se do të fitosh apo do marrësh pikë. Duhet të japim 100% ndaj Polonisë. Që kur filluan eliminatoret e Botërorit, kemi qenë të bindur për të pretenduar pikë në çdo ndeshje. Motoja jonë është: respekt për të gjithë, por nuk kemi frikë”.
Trajneri ynë foli gjithashtu edhe për njohjen që ka me trajnerin kundërshtar, Paolo Susa: “Me trajnerin Sousa kemi një marrëdhënie të mirë. Në Europian nuk bëri mire, por është e vështirë në një Kombëtare, nuk është si në klub. Shpresoj që të gjejë zgjedhjet e duhura pas ndeshjes me ne, që do të jetë shumë e vështirë për ta. Kemi filluar të bëjmë një punë të mirë në organizim, nuk do të luajmë në mbrojtje. Nëse na sulmon Polonia gjithë ndeshjen, do t’i reagojmë po ashtu. Kemi cilësi në mbrojtje, por kemi aftësi për t’i bërë keq ndaj kundërshtarit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




