Shqipëria luan sot ndeshjen e parafundit kualifikuese të Katar 2022, zbret në fushën e një prej stadiumeve më të famshëm në botë me qëllimin për të bërë mrekullinë. Kuqezinjve u duhet të fitojnë në “Wembley” për të shpresuar për vendin e dytë. Në letër duket një mision i pamundur, por në futboll nuk përjashtohet asgjë dhe me mbështetjen e mijëra tifozëve shqiptarë që do të jenë sot në stadium, Kombëtarja jonë mund të bëjë diçka të bukur.
Trajneri Edi Reja i qëndron besnik filozofisë së tij të lojës. Ai do të hedhë në fushë skuadrën tipike, me të cilën ka përballuar këto eliminatore dhe që e ka çuar në vend të tretë të grupit. Italiani mbetet fanatik i 3-5-2-shit, me Veselin titullar në mbrojtje dhe dyshen Cikalleshi-Uzuni në sulm.

Etrit Berisha do të jetë në portë, siç ka ndodhur në ndeshjet e fundit. Ai do të mbajë edhe shiritin e kapitenit në krah. Ismajli, Kumbulla dhe Veseli do të përbëjnë treshen e mbrojtjes. Ata do të ndihmohen nga krahët nga Hysaj dhe Trashi, kurse në qendër të mesfushës do të veprojnë Bare, Gjasula dhe Bajrami. Ky i fundit ka qenë në balotazh me Çekiçin, por duket se Reja ka preferuar lojtarin e Empolit.
Në sulm, Cikalleshi do të ketë partner Myrto Uzunin. Manaj nuk është grumbulluar këtë herë, kurse Broja vjen nga një dëmtim dhe pritet të hyjë në fushë në pjesën e dytë. Kuqezinjtë do të tentojnë të godasin me anë të kundërsulmit, duke shfrytëzuar shpejtësinë e Uzunit dhe pasimet e Bajramit, ndërsa Cikallehsi duhet të punojë shumë mes mbrojtësve shtatlartë anglezë.

Shqipëria do të kërkojë të shënojë golin e parë në “Wembley” dhe të marrë pikën e parë në këtë stadium. Dy herë më parë nuk ia ka dalë. Në fakt, Kombëtarja jonë ka shënuar një gol të bukur me Sulejman Demollarin vite më parë, por ai gol është anuluar në mënyrë të pakuptimitë. Në 5 ndeshje ndaj Anglisë, Shqipëria ka 5 humbje dhe ka shënuar vetëm 1 gol në “Qemal Stafa” me Altin Rrakllin. Sot ndoshta është momenti për të ndryshuar historinë.
Formacioni i mundshëm i Shqipërisë, 3-5-2
Berisha
Ismajli Kumbulla Veseli
Hysaj Bare Gjasula Bajrami Trashi
Uzuni Cikalleshi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




