Trajneri i kombëtares, Edi Reja në një intervistë nuk ka lënë pa përmendur disa kritika për futbollin në Shqipëri. Reja shprehet se ndihet shumë i befasuar për “metamorfozën” pozitive, që pësojnë lojtarët, që largohen nga Shqipëria, duke marrë shembullin e Dokës, Çokajt apo Kallakut. Ndër të tjera, Reja shprehet se nuk është faji i trajnerëve, por në përgjithësi duhet ndryshuar mentaliteti dhe fakti që Superiorja nuk është kompetitive.
“Në lidhje me ekipin kombëtar, hapësira është e hapur për këdo. Më vjen keq për Ismajlgecin, që e grumbullova e më pas u dëmtua. Sepse nëse nuk do të ishte dëmtuar, sigurisht që do të luante ndaj Kosovës, por kishte mundësi shumë të mira, nisur nga mungesat që kisha që të luante titullar edhe ndaj Bjellorusisë. Unë i shoh të tërë, por më bën përshtypje diçka dhe kam arritur në një konstatim: Si ka mundësi që lojtarët shqiptarë të kampionatit, sapo ikin me ekipe të huaja rrisin formën e bëjnë më mirë?
Doka, që ikën jashtë Shqipërie luan mirë. Më tej të njëjtën gjë bëjnë Kallaku, Cokaj, Uzuni, Mersinaj. Kam dilemë dhe një pikëpyetje të madhe në këtë drejtim. Nuk di çfarë ndodh në Shqipëri, që nuk merren në konsideratë të tillë lojtarë? Apo nuk vijnë në formën e tyre më të mirë. Sipas meje duhet të ngrihen strukturat në klube, por kam parë edhe fushat, që lënë për të dëshiruar në aspektin e kondicionit të terreneve. Gjithashtu duhet të nisim të ndërrojmë mentalitet. Më vjen një pikëpyetje madhe rreth kampionatit në Shqipëri që mendoj që nuk është kompetitiv në veçanti.
Nuk di shkaqet, sepse sapo lojtarët ikin prej kampionatit, rrisin formën dhe bëhen më të mirë në formë e mentalitet. Të paktën kjo është ajo që ka ndodhur në vitet e fundit. Një konstatim imi. Nuk mundem në këtë pikë të fajësoj trajnerët. Aspak. Kam njohur trajnerë në Shqipëri që punojnë mirë. Por në përgjithësi, është një mentalitet që duhet ndërruar me shpejtësi. Ndërkaq, ndiej keqardhje për këtë situatë bllokuese nga Covid-19, pasi kisha marrë angazhim të vija më shpesh në Shqipëri për të folur me klubet me lojtarët, me drejtuesit. Shqipëria duhet të rritet sepse element ka, por lojtarëve u duhet dhënë mundësia dhe instrumenti përkatës për rritjen e gjithsecilit, por kjo s’ka të bëjë me pjesën e trajnerit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




