Kombetarja

Reja do ndeshjen pefekte: Dihet forca e Anglisë, ka gjithmonë një herë të parë

Para ndeshjes me Anglinë, trajneri italian i Shqipërisë, Edi Reja, pranoi se skuadra e tij duhet të bëjë ndeshjen perfekte për të fituar në “Wembley”. Ai kërkon edhe ndihmën e fatit në këtë ndeshje me koeficient të lartë vështirësie, ndërsa për Brojën saktësoi se nuk do jetë titullar dhe se gjendja e tij do të shihet me kujdes.

“Anglia është një skuadër me vlera të mëdha nga pikëpamja individuale dhe kolektive, por të gjitha ndeshjet nisen për të fituar. E dimë që duhet bërë një ndeshje perfekte, duam të bëjmë figurë të mire dhe të marrim rezultat. Këtu mendova për Mançinin, që ka fituar me Italinë. Ndoshta ka hapur rrugën për ne, meqë i sjell fat Italisë dhe italianëve. Në fakt, kisha parashikuar Anglinë fituese, por Italia e meritonte.

Kuqezinjte ne nje nga stervitjet e fundit. Gazeta Si, 11 nentor 2021

Uroj që nesër fati të jetë në anën tonë, ka gjithmonë një herë të parë. Sigurisht, nuk duhet vetëm të presim gjatë gjithë ndeshjes, e njohim forcën tonë dhe të Anglisë. Duhet personalitet në një ndeshje të tillë, është “Ëembley”, por fusha është njësoj dhe nuk kemi frikë. Na duhet të jemi të ekuilibruar, të jemi perfekt në 100%.

Për Botërorin nuk është thënë ende fjala e fundit, kemi ende mundësi, por duhet të fitojmë. Kemi pak shanse, por do të mundohemi. Broja? Formacionin e them ditën e ndeshjes, jo një ditë para. Broja qëndroi këtu të kurohej për kaviljen, por do të shohim si është. Nuk është titullar, por do të shohim gjendjen e tij”, – ka theksuar mes të tjerash në konferencë trajneri i kuqezinjve.

Shqipëria duhet të shpresojë për fitore në Londër, por edhe që Hungaria të ndalë Poloninë në ndeshjen tjetër të grupit, në mënyrë që të kemi shpresa për vendin e dytë, që është i nevojshëm për të shkuar në “Play-off”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë