Kombetarja

Reja dhe Duka, apel skuadrës për sfidën vendimtare me Bjellorusinë

Pas fitores 3-1 ndaj Kazakistanit, trajneri Edi Reja ka vlerësuar skuadrën për atë që dha në fushë, por theksoi se kjo fitore nuk ka vlerë, nëse nuk mundet Bjellorusia. Italiani tha se fusha e stadiumit “Air Albania” është një problem, ashtu sikurse edhe mungesa e Amir Abrashit për finalen e së mërkurës për shkak kartonësh.

“E nisëm pak si në gjumë dhe kundërshtari pati një 5-minutësh të mirë, pastaj shkuam 2-0, por goli i pësuar na hapi probleme, sepse ata morën shumë zemër. Skuadrat u hapën shumë në fushë, u krijua një diferencë mes lojtarëve dhe mendoj se fizikisht Kazakistani ishte superior. Zgjodha një mesfushë me lojtarë që luajnë mirë me topin për të pasur superioritet në këtë sektor. Cikalleshin e njoh mirë, na mungoi në ndeshjet e para. Është lojtar që punon shumë në fazën ofensive dhe shënon.

Çast nga ndeshja Shqipëri-Kazakistan, 3-1. Gazeta Si, 15 nëntor 2020

Skuadra nuk arrin të shprehet maksimalisht edhe për shkak të fushës, në Elbasan luajmë më mirë. Lojtarët janë ankuar, e kanë të vështirë të bëjnë 2-3 pasime radhazi. Bjellorusia? Nuk ka 2 pa 3, nuk do të vlente kjo fitore, nëse nuk mundim Bjellorusinë. Duhet të përgatitemi mirë, sepse është një skuadër shumë më e fortë fizikisht. Sigurisht që më shqetëson mungesa e Abrashit, shpresoj të rikuperoj Gjasulën.

Në ndeshjet e fundit kemi aktivizuar shumë të rinj, si Selahi, Kallaku, Doka, Broja. Kemi aktivizuar edhe lojtarë të tjerë dhe në fund do të nxjerrim konkluzionet. Tani duhet të fitojmë me Bjellorusinë”, – tha mes të tjerash trajneri Reja pas fitores me Kazakistanin.

Mesazhi i Dukës
Pas ndeshjes ka pasur një reagim në rrjetet sociale edhe nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili ka kërkuar skuadrës të bëjë kujdes të mërkurën ndaj Bjellorusisë për ta mbyllur në vend të parë Ligën e Kombeve. “Fitorja e sotme ndaj Kazakistanit na gëzoi pa masë ne dhe të gjithë tifozët. Për më tepër, e shoqëruar me lojë të mirë dhe dominim. Por kujdes! Misioni final përmbushet duke fituar të mërkurën, kundër Bjellorusisë. Ndaj duhet përqendrim maksimal në këto “metra të fundit”. Go Albania!” Ky ishte mesazhi i Dukës për Kombëtaren.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë