Gazeta Si – Mjaft më të brendshmeve firmato në F.1. Ljuis Hemilton me shokë duhet të mendohen mirë tani e tutje. Nga gara e Majemit, FIA do të ushtrojë kontrolle më të rrepta në lidhje me veshjen e sigurisë për pilotët, të cilët duhet të veshin “doreza, të brendshme të gjata, çorape dhe këpucë sipas standardeve të kërkuara nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit, rezistente ndaj zjarrit”.
Nuk do të ketë asnjë përjashtim, as për ata më “të fiksuarit”, si Antonio Xhovinaci, që ka rrëfyer se ka përdorur të njëjtat brekë gjatë garave, një palë për të premten, një palë për të shtunën dhe një palë për të dielën.

I vetmi përjashtim mund të jetë ai që ka të bëjë me “arsyet mjekësore”, por në këtë rast pilotët duhet të veshin ‘brekët e rekomanduara’, nëse mund t’i quajmë kështu, sipër atyre që duhen për garën. Nuk lejohet përdorimi i brekëve me material sintetik në kontakt direkt me lëkurën.
Këto rregulla të reja janë pritur me skepticizëm nga pilotët, me nënqeshje dhe ndonjë batutë. Por nuk kanë çfarë të bëjnë, tani e tutje është ligj. Por, nëse FIA është bërë menjëherë kaq e rreptë, sa të ndërhyjë edhe në sferën private të pilotëve, e ka një motiv. Rregullat e reja shërbejnë për të reduktuar rrezikun e djegjes në rast zjarri në makinë, siç ndodhi në 2020-ën në Bahrein me Romain Grosjean. Piloti francez shpëtoi mirë, por pati djegje serioze në duar dhe kavilje.
Në shënjestër të FIA-s nuk janë vetëm… brekët, por edhe bizhutë e ndryshme. Pilotëve u ndalohet të mbajnë varëse, apo bizhu të tjera metalike të çdo lloj tipi poshtë tutave dhe kaskës. Po ashtu, ndalohen edhe unazat dhe pirsing. Kontakti i metalit me lëkurën shton rrezikun e djegjeve. Për të gjitha këto do të ketë kontrolle të befasishme ndaj pilotëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




