Treg

Regres në investimet e huaja direkte, çmimet e larta pezulluan shitjen e pronave

Nga Gazeta ‘SI’ – Investimet  e huaja direkte, IHD, për tremujorin e parë 2023 në Shqipëri, ranë në vlerën e 308 mln eurove, me rënie 80 mln euro nga tremujori i mëparshëm dhe një rritje të lehtë nga një vit më parë, prej 5 mln eurosh.

Pasuritë e paluajtshme nuk janë më përbërësi kryesor i këtij treguesi pasi pesha e tyre ka rënë nga një vit më parë. Në periudhën janar-mars 2023, IHD-të në pasuri të paluajtshme përbënin 16% të totalit nga 22% që ishin një vit më parë. vlera raportohet në 49 mln euro.

Ky duket të jetë një efekt i lidhur me rritjen e çmimeve në këtë sektor dhe siç patën parashikuar më herët agjencitë imobiliare për Gazetasi.al, investimet në tregun e pronave nga të huajt mund të kenë rënie pikërisht nga shtrenjtimi i tyre dhe rritja e normës së interesit.

Peshën kryesor në IHD për këtë periudhë e ka pasur industria nxjerrëse, me 22% të totalit, në rreth 70 mln euro.

Aktivitetet financiare sollën 58 milionë euro investime të huaja, me dyfishim në të njëjtën periudhë të një viti më parë, por kjo lidhet me detyrimin  e bankave për rritje të kapitalit të tyre.

Industria përpunuese pa një rënie me 44% të investimeve, në vetëm 19 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë