Shendet

Regjistrohet viktima e parë nga gripi, vdes 70-vjeçari nga Gjirokastra. Piku i virozave pritet në fillim të shkurtit

Nga Gazeta Si – Është shënuar viktima e parë e gripit në vendin tonë. Një 70-vjeçar nga Gjirokastra ka humbur jetën nga gripi i stinës.

I moshuari ka humbur jetën në Shërbimin Infektiv pas komplikacioneve që i shkaktoi virusi. Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se i moshuari ka humbur jetën në datën 3 janar, por ende nuk ka një njoftim zyrtar nga QSUT dhe Ministria e Shëndetësisë.

Mësohet se 70-vjeçari ka kryer tamponin për Covid-19, por ka rezultuar negativ. Gjithashtu, sipas burimeve për median, ai vuante edhe nga sëmundje bashkëshoqëruese.

Shqipëria ndodhet në kulmin e sezonit të virozave dhe gripit stinor. Sipas ISHP, gripi stinor ka shtuar qarkullimin e tij në javën e parë të muajit janar 2024.

Që javën e parë të janarit, autoritetet shëndetësore në vend njoftuan për fluks rastesh me grip. Sipas tyre, rreth 12 mijë qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e prekjes nga viruse stinore, përshirë grip dhe koronavirus. Gjithsesi ekspertë të shëndetit publik pohojnë se jemi në një aktivitet normal të sezonit të gripit por me një prirje në rritje, ku piku më i lartë i infektimeve do të arrihet në fund të muajit janar dhe fillim të muajit shkurt.

Në një komunikim për mediat, autoritetet shëndetëspre patën njoftuar se aktualisht është konfirmuar se në qarkullim është gripi i tipit A, i cili është shpërndarë më shumë në grupmoshën 1 deri në 4 vjeç, që ka edhe numrin më të lartë të të infektuarve. Ndërsa përsa i takon shpërndarjes gjeografike, incidenca më e lartë është në Gjirokastër, Fier, Durrës dhe Berat.

Për shumicën e njerëzve gripi është një sëmundje kalimtare, por në disa raste, shkakton ndërlikime të rënda dhe deri në vdekje ndaj duhet të bëni kujdes. Mjekë të familjes sqarojnë se gripi transmetohet nga njeriu tek njeriu me spërkla gjatë teshtimave, kollitjes apo gjatë bisedimit. Në raste më të rralla, një individ mund të infektohet duke prekur objekte të ndotura me virusin e gripit dhe më pas ai i kalon në gojën apo në hundën e tij me duart e infektuara.

Një ditë më parë Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ndërkohë po vijon vaksinimi falas ndaj gripit në çdo qendër shëndetësore në të gjithë vendin. Sipas MSH, deri tani janë përdorur rreth 76% e sasisë totale të vaksinave të siguruara për grupet në rrezik. Paralelisht po kryhen vaksinime edhe në familje për individët që e kanë të pamundur paraqitjen në qendrat shëndetësore.

Në dhjetor, Blerta Brati, mjeke mikrobiologe, e pati paralajmëruar në një shkrim për Gazetasi.al se javët në vijim parashikohej një trend në rritje i rasteve të gripit, ndërkohë që kemi bashkëqarkullim edhe të Covid-19, i cili paraqet një trend të qëndrueshëm me numër të ulët të rasteve javore

ISHP tha për Gazetasi.al se simptomat e gripit dhe Covid-19 ngjasojnë por duket se gripi i tipit A është më agresiv në temperaturën e lartë dhe dhimbjen e trupit dhe fytit. Por, sërish në të dyja rastet, mjekët rekomandojnë kryerjen e analizave të gjakut për të parë se cila është natyra e virusit.

Ekzistojnë dy lloje kryesore të viruseve të gripit, të quajtura gripi A dhe gripi B. Këto dy lloje virusesh ndryshojnë mjaftueshëm nga viti në vit për të shmangur sistemin tonë imunitar dhe për të shkaktuar një epidemi gripi sezonal.

Ndërkohë Covid-19 shkaktohet nga infeksioni i njohur gjithashtu si SARS-CoV-2. Edhe ky virus ka evoluar dhe ka shkaktuar mutacione, sepse përhapet më lehtë.

Si Covid-19 ashtu edhe gripi mund të përhapen nga personi në person përmes pikave ose grimcave më të vogla virale të prodhuara kur njerëzit e sëmurë kolliten, teshtijnë ose flasin. Grimcat më të vogla mund të kalojnë në ajër, duke vënë në rrezik një person tjetër që t’i thithë ato dhe të infektohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë