Nga Gazeta “Si”- Sot në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë u zhvillua një seancë dëgjimore mbi Projekt-ligjin për Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale, të përgatitur nga CRCA Shqipëri.
Sipas CRCA/ECPAT, “varianti i Projekt-ligjit të shpërndarë të premten nga ana e Kuvendit është tepër larg variantit origjinal, ndërkohë që ka lënë jashtë tij aspektet më të rëndësishme, që janë thelbësore për mbrojtjen e fëmijëve nga pedofilët dhe grabitqarët seksualë”.
“CRCA/ECPAT Shqipëri kërkon të përcjellë shqetësimin e saj se varianti i paraqitur i projekt-ligjit është ende tepër larg standarteve të kërkuara dhe normave europiane për mbrojtjen e fëmijëve”, shprehet shoqata në një deklaratë.
Sipas saj, problemet kryesore që përmban varianti i Kuvendit lidhen me disa pika:
1. Detyrimi i pedofilëve për të raportuar lëvizjen e tyre! Efekti parandalues i ligjit është hequr tërësisht, duke eliminuar qëllimin kryesor të tij, që është mbrojtja e fëmijëve nga pedofilët dhe grabitqarët seksualë. Në variantin e paraqitur, të dënuarve për krime seksuale nuk ju kërkohet që të raportojnë lëvizjet e tyre si brenda ashtu edhe jashtë vendit, që është një ndër mënyrat kryesore të mbrojtjes së fëmijëve. Pedofilët dhe grabitqarët seksualë I kërkojnë viktimat e tyre shpesh larg vendbanimit të tyre, për të mos u identifikuar dhe për të mbetur të panjohur. Heqja e kërkesës për raportimin e levizjes, i jep mbrojtje vetëm pedofilëve, por jo viktimave!
2. Largësia e vendbanimit të të dënuarve nga vendet ku ka përqendrim të fëmijëve. Në variantin e propozuar edhe ky parim është hequr, për shkaqe ende të panjohura. Është tepër e rëndësishme që të garantohet një mbrojtje minimale e fëmijëve nga pedofilët, të cilët mund ta përdorin afërsinë për të evidentuar dhe mashtruar viktimat e tyre. Ligji duhet të garantojë që pedofilët nuk e kanë vendodhjen e tyre pranë kopshteve e shkollave, apo mjediseve të tjera ku ka fëmijë.
3. Eleminimi i detyrimit të punëdhënësve për të kërkuar vërtetimin nga çdo punë-kërkues dhe i punësuar. Në variantin e paraqitur nga Kuvendi, është hequr detyrimi i punëdhënësve për të kërkuar vërtetimin nga çdo i punësuar apo punëkërkues nëse është i regjistruar në Regjistër ose jo. Kjo prek thelbin e ligjit që është ndalimi i aksesit të pedofilëve në mjedise ku ka fëmijë dhe ndalimin e punësimit të tyre në vende ku ata mund të ushtrojnë marrëdhënie kontrolli dhe pushteti ndaj fëmijëve.
4. Varianti i propozuar krijon një simbiozë të panevojshme të detyrave dhe përgjegjësive midis Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe asaj të Burgjeve. Kjo krijon jo vetëm rrezikun e mbivendosjes së detyrave funksionale, por nga ana tjetër i shton detyra e përgjegjësi përtej asaj që ka caktuar ligji për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Kjo e fundit nuk ka rol parandalues në veprimtarinë kriminale, ndërkohë që është një ndër detyrat kryesore të Policisë. Në bindjen tonë përfshirja e DPB në këtë ligj është e gabuar dhe mund të sjellë si pasojë uljen e veprimit parandalues të ligjit, dhe fokusimin në veprimet administrative.
5. Varianti i propozuar ka eleminuar forcën prapa-vepruese të ligjit. Në variantin e propozuar nga CRCA të gjithë autorët e veprave penale në fushën seksuale që janë duke vuajtur dënimin në burg, të regjistrohen automatikisht në Regjistër. Kjo masë do t’i jepte mundësi autoriteteve që të zgjeronin hapësirat për mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e krimit.
6. E fundit, varianti i paraqitur për shqyrtim heq pa asnjë shpjegim detyrimin e shtetit për të mbuluar shpenzimet rehabilituese shëndetësore dhe psiko-sociale për të gjithë pedofilët e vetë-deklaruar. Kjo dobëson mundësinë e autoriteteve që të identifikojnë pedofilët që ende nuk kanë kryer krime, dhe nga ana tjetër trajtimin dhe rehabilitimin e tyre, gjë që do të shpinte në uljen e krimeve seksuale ndaj fëmijëve.
Në deklaratën e CRCA shkruhet se mungesa e këtyre pikave do ta bënte këtë nismë ligjore të humbiste qëllimin dhe vlerat e saj. Për më tepër ato nuk do të ndihmonin autoritetet të luftonin krimet seksuale dhe të mbronin viktimat.
Nga ana e saj, Policia e Shtetit raporton përafërsisht 120-150 krime seksuale në vit të kryera ndaj grave dhe fëmijëve, nga të cilat gjykatat tona arrijnë të dënojnë vetëm 43% të tyre! Mbi 80% e krimeve seksuale të raportuara ndodhin ndaj personave nën moshën 18 vjeç.
“Problemi i dhunës seksuale nuk është vetëm një problem shqiptar, por global! Por, ndërkohë që vendet e zhvilluara kanë që në vitet ’70 të shekullit të kaluar që i kanë krijuar këto mekanizma, ne ende në vitin 2022 jemi ende pa një regjistër të tillë”, shkruhet në deklaratën e CRCA.
Krijimi i Regjistrit është një domosdoshmëri për Shqipërinë për të mbrojtur këdo, fëmijë e të rritur nga dhuna, ngacmimi apo shfrytëzimi seksual, që përbën një ndër shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut. Regjistri është një ndër masat, që pjesa më e madhe e vendeve perëndimore kanë ndërmarrë për të luftuar dhe parandaluar krimet seksuale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




