Taksa

Regjimi fiskal për hidrokarburet, nënkontraktorët nuk mund të abuzojnë më me taksat

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi sot (të enjten) nen për nen projektligjin “Për regjimin fiskal në sektorin e hidrokarbureve”.

Projektligji ka për qëllim transparencën në këtë sektor duke shmangur abuzimet që mund të bëjnë sipërmarrësit duke përfshirë në prodhimin dhe përpunimin e hidrokarbureve nënkontraktorët, të cilët sipas auditimeve të ndryshme kanë rezultuar të shmangen nga regjimi tatimor.

Objekt i ligjit janë sipërmarrësist që prodhojnë dhe përpunojnë hidrokarburet që lidhin kontratë me shtetin. Fitimet ndahen me shtetin dhe nëse sipërmarrësi nga ana e tij do të dojë pas marrëveshjes me shtetin të ketë nënkontraktorë për të maksimizuar fitimet dhe ulur kostot, tatimet dhe taksat nuk ndahen me sipërmarrësin, por janë detyrime më vete dhe nënkontraktorët përfitojnë nga ligji në fjalë regjimin e ulët tatimor nëse kontributi i tyre në operacione nuk është më i vogël se 25%.

Për kontratat e nënshkruara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, ato vijojnë me termat e marrëveshjeve të nënshkruara më parë.

Objekt të projektligjit janë operacionet në tokë, jo në det.

“Në kërkimin e një ekuilibri të duhur në këtë drejtim, projektligji paraqet një të drejtë për të zgjeruar (me vendim të Këshillit të Ministrave) funksionimin e regjimit fiskal tek nënkontraktorët në rrethana të caktuara. Kryesisht, këto rrethana përfshijnë raste, ku risku që të ketë abuzim me regjimin fiskal është më  i madh. Këto janë, gjithashtu, rrethana ku kontraktori nuk është drejtpërdrejt dhe plotësisht i angazhuar në përmbushjen e detyrimeve sipas marrëveshjes. Dispozitat e projektligjit sigurojnë përcaktimin e tatimit mbi fitimin dhe të rentës minerare për operacionet hidrokarbure. Aktualisht, ligji i tatimit mbi fitimin për operacionet hidrokarbure aplikon normën e tatimfitimit mbi bazën e tatueshme të përcaktuar nga marrëveshja përkatëse hidrokarbure. Kjo krijon natyrën hibride të sistemit aktual, ku tatimi mbi fitimin vendoset nga një ligj tatimor i administruar nga administrata tatimore, por mbi një bazë që përcaktohet kryesisht nga autoriteti rregullator. Kjo do të thotë që baza e saktë e taksës ndryshon nga marrëveshja në marrëveshje dhe duke qenë se marrëveshja është e negociuar mund të krijojë probleme pasigurie. Duke qenë se ky sistem hibrid duhet të zëvendësohet me një sistem sipas të cilit baza e tatueshme përcaktohet me ligj dhe jo marrëveshje, projektligji parashikon se tatimi mbi fitimin i vendosur për operacionet hidrokarbure në parim është i njëjtë me atë të vendosur në ligjin e tatimit mbi të ardhurat, por mbi një bazë të veçantë tatimore dhe me një normë të veçantë tatimi. Gjithashtu, sqaron se operatorët e hidrokarbureve mbeten përgjegjës për tatimin mbi fitimin në normën 15% të tatimit mbi fitimin për operacionet johidrokarbure. Projektligji zhvendos taksën e rentës minerare nga ligji për taksat kombëtare, pa ndryshuar normën në të cilën vendoset taksa. Zhvendosja e taksës së rentës në këtë projektligj lehtëson një ndërlidhje më të mirë me regjimin rregullator.”- citohet në relacionin shpjegues.

Ministrja e Financave Anila Denaj shpjegoi se projektligji në fjalë është sugjeruar dy vite më parë nga FMN dhe është konsultuar me të.

“FMN dy viet më parë sugjeroi për ta riparë këtë ligj me objektivin për të rritur transparencën dhe më i qartë për operacionet hidrokarbure që krijojnë qartësi mes këtyre operacioneve dhe atyre që zhvillojnë nënkontraktorët. Nuk ka për qëllim moszbatimin e marrëveshjeve të mëparshme. Si rezultat i historisë së disa viteve kemi dashur të shmangim normat e larta fiskale në një regjim me normë më të ulët, prandaj ka lindur nevoja e qartësimit të ligjit.”- sqaroi ministrja Denaj.

Në lidhje me nënkontraktorët zv ministri i Energjetikës, Ilir Bejtja sqaroi se nënkontraktorët nuk kanë lidhje me këtë projektligj, ata kanë lidhje me legjislacionin tatimor të përgjithshëm. “Projektligji jep efekte në uljen e tatimfitimit të palës që është në marrëveshje me ne. Ne lidhim me një sipërmarrës marrëveshje, nuk marrim parasysh që ai do të ketë nënkontraktor, ndajmë 50% fitimin. Ky gjen profesionistë për të maksimizuar fitimin për të ulur kostot, është puna e tij. Nuk lidh me ne kontratat që do ti kushtonin më shumë, ne  nuk pranojmë në asnjë rast që ata të abuzojnë duke rritur çmimet. Jemi në arbitrazh me operatorë shumë të rëndësishëm që gjatë audititmit, ka kompani të lidhura, kemi raste kur ka përfunduar licenca për ta kryer këtë shërbim, është paarshikuar në nenin 2. Kemi raste që ka kryer operacione mbi 25% dhe nuk ka shlyer detyrime që I takojnë. Për ne grup interesi janë kontraktorët. Është në të drejtën e tyre që të lidhin ose jo kontratë me të tretë. Nënkontraktorët kanë qenë të parregulluar,  ky projektligj jep transparencë edhe për ta. Mbi ta nuk ndikon asgjë. Kanë të njëjtin regjim. Marrëveshja e kontraktorit me nënkontraktorin nuk mund të dalin jashtë marrëveshjes që ka sipërmarrësi me shtetin”, shpjegoi Bejtja.

Pra, sipas projektligjit, ai ka për qëllim të reduktojë shmangien e taksave/tatimeve nga regjimi fiskal me normë tatimfitimi më të lartë (50%) tek regjimi i zakonshëm më i ulët (15%), nëpërmjet përfshirjes në këtë ligj të nënkontraktorëve, sipas rregullave që do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave;  Po ashtu të llogarisë fitimin e tatueshëm të një personi nga një operacion i veçantë hidrokarbur për një periudhë tatimore, duke zbritur nga të ardhurat shpenzimet e zbritshme dhe humbjet e lejuara, por me kusht që zbritja të mos kalojë 85% të të ardhurave të operacionit për periudhën ushtrimore.

Për këtë zv ministri Bejtja sqaroi se “Kostot e përjashtuara nuk merren në kosnideratë, marrëveshja ka një formulë, materializohen për çdo vit ushtrimor, edhe 85% . Psh.Viti I pandemisë rezulton me humbje, nuk ka fitim për të ndarë. Pra nëse bien të ardhurat  nën 85% nuk ka gjë për të ndarë. Nuk ka patur një tabelë të qartë për kontroll shpenzimesh të lejuara, tanimë e kemi.Amortizimi I sondës psh, sipas ligjit tatimor amortizohet për 15 vite, kompania mund ta amortizojë për 7 vite, por nuk futet te shpenzimet e lejuara.”

Në këtë pikë pati kundërshti nga deputetja Edlira Hyseni e cila tha se amortizimi është zë I rëndësishëm në kompani, por zv ministri Bejtja sqaroi se propozimet janë bërë bazuar në në ligjin ekzistues për hidrokarburet.

“Kemi raste të kompanive që kanë abuzuar. Ne e njohim se është brenda stadarteve të kontabilitetit , por bëhet fjalë për brenda vitit ushtrimor.”- tha ai.

Pati diskutime në lidhje me gjuhën dhe monedhën e raportimeve, por projektligji u miratua me variatin fillestar ku gjuha do të jetë shqip dhe monedha lek.

“Bejtja- ka shumë raste që shërbime të caktuara nukl kryhen nga tregu vendas, por vetëm tregu I huaj, por raporti bëhet në gjuhën dhe monedhën vendase, të ardhurat dhe humbje nga këmbimi valutor njihet”- tha Bejtja.

Projektligji përcakton gjithashtu detyrimin e paraqitjes së një deklarate tatimore për operacionet hidrokarbure të kryera nga personi dhe i një deklarate tjetër të veçantë për operacionet johidrokarbure. Deklarata tatimore për operacionet hidrokarbure duhet të raportojë fitimet e tatueshme veçmas për çdo operacion të veçantë hidrokarbur.

Projektligji përcakton edhe “Fond i miratuar i rehabilitimit”, në lidhje me një operacion të veçantë hidrokarbur që është  krijuar për të plotësuar shpenzimet që do të lindin për braktisjen, rehabilitimin dhe eliminimin e operacionit; dhe ku kontributet për fondin janë vendosur jashtë kontrollit të personit që kryen operacionin ose palës së lidhur.

Ligji parashikohet të hyjë në fuqi më 1 janar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë