Drejtësia

Refuzonte dosjet dhe i padisiplinuar, shkarkohet nga detyra prokurori Shkëlqim Kokona

Me votë unanime, KLP vendosi të pranojë kërkesën e ILD për dhënien e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra” për prokurorin Shkëlqim Kokona, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.

Sipas ILD, pas 3 viteve hetime, të kryera në periudhën 2018-2021, rezultoi se Kokona refuzuar në mënyrë të përsëritur mosmarrjen në dorëzim të dosjeve si dhe nuk ka marrë pjesë në seanca gjyqësore duke shkaktuar shtyrje të gjykimit.

Po ashtu Kokona ka shkuar edhe më larg me kompetencat e tij, ku ka kryer përfundim të çështjeve me vendim si prokuror, pa proceduar me kalimin e tyre me kërkesë në gjykatë.

Sipas ILD, në 28 raste në periudhën 2019-2021, ai nuk ka nxjerrë urdhrat për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të dënimit me burgim, për të cilat është aplikuar pezullimi i ekzekutimit me kusht.

Kokona ka pasur edhe shkelje të përsëritur dhe të rëndë të rregullave të solemnitetit, rregullave të mirësjelljes në marrëdhëniet me palët, me drejtuesit e prokurorisë, me gjyqtarët, me oficerë të policisë gjyqësore, si dhe me personelin e administratës së prokurorisë dhe të gjykatës.

ILD argumenton se shkeljet disiplinore nga ana e magjistratit me eksperiencë prej 28 vitesh në punë, janë kryer me dashje direkte dhe se sjellja e tij ka çuar në shkelje të rënda profesionale dhe diskretitim të pozitës dhe figurës së prokurorit, si dhe kanë cenuar besimin e publikut te drejtësia.

Ishte Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ai që i kërkoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë  shkarkimin nga detyra të Kokonës për shkelje të rënda profesionale, që diskretitojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës më 13 dhjetor 2021.

Hetimi disiplinor i ILD-së, nisi pas një informacioni të Prokurorit të Përgjithshëm për shkelje procedurale gjatë veprimtarisë hetimore, përfaqësimit të ndjekjes penale në gjykim, si dhe për shkelje të normave etike nga ana e prokurorit Kokona.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë