Politike

Refuzimi nga PS, Bylykbashi rendit 8 vendimet e Kushtetueses: Asnjë prej tyre s’e pengon opozitën për komisione hetimore  

Nënkryetari i PD-së së Rithemelimit, Oerd Bylykbashi, ka deklaruar se  neni 77, pika 2, i Kushtetutës përcakton qartë se, Kuvendi me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë.

Bylykbashi renditi se PD-ja ka kërkuar hetimin e 7 komisioneve dhe që të gjitha rrëzuar nga mazhoranca.

“Të gjitha kërkesat janë rrëzuar me urdhër të Edi Ramës, Rama në fillim tha se nuk i ngre komisionet sepse ka firmosur Sali Berisha. Kjo nuk piu ujë. Më pas pretendoi se Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që detyron ndryshimin e ligjit. Por nuk ka asnjë vendim të tillë dhe ligji është plotësisht në fuqi. Komisioni Europian theksoi me shqetësim në raportin e progresit se, ‘Gjatë periudhës raportuese, opozita kërkoi ngritjen e […] komisioneve hetimore, por mazhoranca i hodhi poshtë […] kërkesat, pavarësisht se e drejta e opozitës për të inicuar komisione të tilla garantohet me Kushtetutë. Argumenti i mazhorancës […] ishte se është në shqyrtim një rishikim i ligjit për komisionet hetimore. Ligji aktual, megjithatë, mbetet në fuqi”

Duke iu referuar një deklarate të Ramës në Dibër për komisione hetimore vetëm sipas vendimit të Kushtetueses, Bylykbashi tha se, Gjykata Kushtetuese, në 8 vendimet e saj për hetimin parlamentar që nga viti 2003, lejon ngritjen e tyre.

“Gjykata Kushtetuese, me vendimet e saj nr. 57 të 2015; nr. 30, të 2014; nr.18 të 2003 dhe 42 të vitit 2022 i njeh statusin e një organi kushtetues minorancës së cilësuar prej 1/4 së deputetëve apo më thjeshtë, 35 deputetëve të parlamentit që kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor.

Po me këto vendime, Gjykata Kushtetuese përcakton se kur Kuvendi vendos për të rrëzuar kërkesën e 35 deputetëve, dhunon kompetencën e minoracës së cilësuar kushtetuese, duke shkelur kështu të drejtën kushtetuese për të hetuar.

Në vendimin nr. 42, datë 27.12.2022, Gjykata Kushtetuese përcakton se në nenin 77, Kushtetuta ‘institucionalizon një lloj tjetër autoriteti kushtetues, që njihet si pushtet i pakicës parlamentare. Kushtetuta, duke njohur të drejtën për të ngritur komisione hetimore si e drejtë e një të katërtës së deputetëve për të vepruar në mënyrë të pavarur nga shumica parlamentare, nëpërmjet shprehjes ‘është i detyruar’ ka evituar, veçanërisht për ngritjen e komisionit, kalimin e çështjes në procedurat e zakonshme të votimit, duke vendosur një balancë ndërmjet së drejtës së shumicës për të vendosur dhe asaj të pakicës së cilësuar”, citoi ai

Sipas Bylykbashit, gjykata ka vendosur se “e drejta e pakicës vetëm për sa i përket kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor mbetet një e drejtë e pakufizuar nga vullneti i shumicës”.

“Njëkohësisht, e drejta e pakicës për të disponuar mbi objektin e hetimit e kufizon kompetencën e shumicës për ta ndryshuar këtë objekt pa pëlqimin e pakicës, me përjashtim të rasteve kur nga qëllimi dhe objekti i hetimit konstatohet se preken parimet kushtetuese”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë