Analize

Refuzimi i Pacollit në Serbi; palët s’janë gati për marrëveshje finale

Në momentin që të gjithë po përgatiteshin për fazën më të rëndësishme të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, Beogradi bëri një lëvizje të papritur duke vendosur t’i refuzonte hyrjen ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli. Numri dy i qeverisë së Kosovës u ftua zyrtarisht nga Këshilli Kombëtar Boshnjak dhe gjatë vizitës, pritej të vizitonte edhe Novi Pazarin. Por kjo ftesë duket se ngritur në këmbë parlamentin serb, i cili ka këmbëngulur se asnjë institucion nuk ka të drejtë të ftojë një zyrtar nga Kosova në Beograd. Edhe pse përplasje të tilla nuk janë të rralla as për Kosovën dhe as Serbinë, ndalimi i vizitës së Pacollit erdhi në një moment kritik për normalizimin e marrëdhënive mes dy vendeve.

Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet nga nisja e negociatave, bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë duket se janë zhytur në errësirë të plotë. Prishtina dhe Beogradi kanë hyrë në fazën e fundit të dialogut, nën presionin e vazhdueshëm të Bashkimit Europian, i cili po kërkon me ngulm një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve. Dialogu duket se është gjymtuar për shkak të retorikave të ashpra politike mes dy palëve, duke bërë që arritja e një marrëveshjeje të duket më e largët se kurrë. Tre javë para se Serbia të refuzonte vizitën e Pacollit, autoritetet e Prishtinës i ndaluan hyrjen në Kosovë ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, i cili kishte paralajmëruar pjesëmarrjen në një tubim të organizuar nga serbët për 629-vjetorin e betejës së Kosovës.  Madje, në takimin e fundit që zhvilluan në Bruksel, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu serb Aleksandër Vuçic deklaruan se kishin mbajtur bisedimet më të vështira në gjashtë vitet e fundit.

Behgjet Pacolli

Përse Pacolli nuk u lejua të hynte në Serbi?

Sipas mediave në Prishtinë, gjithçka erdhi pasi boshnjakët e Serbisë i janë referuar Kosovës në ftesën e tyre zyrtare, si një shtet i pavarur, duke ngjallur jo pak zemërim në Beograd. Duke njoftuar se kjo vizitë nuk do të ishte e përshtatshme, Serbia ka paralajmëruar Pacollin se do të kishte të njëjtin fat me Marko Gjuriçin, i cili u ndalua në Mitrovicën e Veriut nga forcat speciale. Sipas Ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksander Vulin, çdo përpjekje e kryediplomatit të Kosovës për të hyrë në Novi Pazar do të ishte e paligjshme. Pak pas deklaratës së tij, Sulejman Ugljanin, kryetari i Këshillit Nacional të Boshnjakëve në Novi Pazar, shprehu keqardhje të thellë për vendimin e qeverisë serbe. Por homologu i tij, Ivica Daçiç u kundërpërgjigj duke thënë se ftesa boshnjakëve ishtë një provokim. “Ne nuk do ta presim si Marko Gjuriçin, edhe pse nëse do të kishte drejtësi do të duhej të ndodhte njësoj”, tha Daçiç.

Duke iu kundërpërgjigjur këtyre deklarateve, ministria e Jashtme e Kosovës paralajmëroi masa reciproke kundër autoriteteve të Beogradit, duke akuzuar Serbinë se nuk është e gatshme të zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Republika e Kosovës ka vepruar gjithmonë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit mbi vizitat e zyrtarëve të lartë dhe ka respektuar procedurat e kërkuara. Ky rast tregon përsëri se Beogradi nuk është i angazhuar të respektojë Marrëveshjet e Brukselit dhe shkakton tensione të panevojshme për të parandaluar vizitat e zyrtarëve të lartë të Kosovës në territorin e Serbisë", deklaroi Ministria e Jashtme. "Ne, sot jetojmë në shekullin, ku lëvizja e lirë e njerëzve është e drejtë fundamentale e njeriut dhe çdo shtet e qeveri duhej ta respektojë. Kosova ka respektuar këto të drejta me përkushtim të madh dhe do t’i respektojë gjithmonë derisa mos të abuzohet me to, si në shumë raste që ka ndodhur në të kaluarën me mysafirët nga shteti fqinj verior", vijon më tej Prishtina zyrtare.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu serb, Aleksandër Vuçiç dhe Federica Mohgerini

Përse kanë ngecur bisedimet Kosovë-Serbi?

Prishtina dhe Serbia janë angazhuar prej vitesh në bisedime intensive për përmirësimin dhe normalizimin e marrëdhënieve. Ndër marrëveshjet e para Kosovë-Serbi ishte liria e lëvizjes se qytetarëve të të dyja vendeve, edhe pse duket se nuk vlen për lëvizjen e zyrtarëve të lartë.  Mes dramave dhe konflikteve të brendshme politike, si Serbia ashtu dhe Kosova duket se e humbasin shpesh fokusin nga përgatitja e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Një sondazh i ri i kryer nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur tregoi se vetëm një pakicë e vogël e qytetarëve serbë e shikonin Kosovën si ndër problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohet vendi.

"Për qytetarët serbë çështja e Kosovës është shumë prapa çështjeve ekonomike, shëndetësore dhe korrupsionit", thanë autorët e studimit. Vetëm tetë 8 % e të anketuarve mendojnë se zgjidhja e çështjes së Kosovës duhet të jetë përparësia më e rëndësishme, ndërsa 22 % e kanë shënuar atë në mesin e tre më të rëndësishmeve. Të pyetur nga autorët e studimit mbi të ardhmen e Kosovës, shumica e të anketuarve shprehen se ajo duhet të jetë një çështje e panegociueshme e Serbisë. Rreth 28 % e qytetarëve serbë mendojnë se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte "autonomia thelbësore brenda shtetit të Serbisë”, ndërkohë që vetëm 7 % pranojnë se ajo është tanimë e pavarur. Në këto kushte, Presidenti serb Alexandër Vuçiç duket se gjendet me shpatulla pas murit dhe nuk e ka bërë ende të qartë nëse është i gatshëm të ndërmarrë kosto të mëdha politike. Edhe pse premtoi të “përballej me popullin” pas Botërorit, ai duket se nuk e ka ndërmarrë ende hapin për të folur haptazi me qytetarët serbë. As Kosova nga ana tjetër, duket se nuk është gati për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me palën serbe, pavarësisht presionit të vazhdueshëm të Bashkimit Europian.

 Aleksander Vucic, Hashim Thaci dhe Johannes Hahn 

Një e ardhme e zymtë

Eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Avni Mazrreku thotë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhë të gjitha garat e hapura në rajonin e Ballkanit dhe do të hapë një perspektivë të qartë euroatlantike. Sipas tij, Kosova duhet të emërojë sa më parë ekipin që do të negociojë me Serbinë, i cili duhet të përfshijë ekspertë nga fusha të ndryshme.

"Ky është imponuar si një kusht nga Bashkimi Evropian, i cili po monitoron procesin e bisedimeve. Proceset e tjera të rëndësishme për Kosovën gjithashtu varen nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Për fat të keq, Serbia është kthyer në një faktor vendimtar në rajon. Ajo ka ndikim në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë përmes "Listës Serbe". Serbia ka pasur gjithashtu një ndikim të rëndësishëm në Maqedoni gjatë mandatit të kryeministrit Nikola Gruevski në detyrë ", thotë Mazrreku.

Nga ana tjetër, edhe Serbia përballet me një të ardhme të zymtë ekonomike dhe demografike nëse nuk arrin të zgjidhë konfliktin e Kosovës dhe nuk bashkohet me BE-në. Vrojtimet e Fondacioni të Shoqërisë së Hapur në Serbi, tregojnë se moszbatimi i Marrëveshjes së Brukselit mbi normalizimin e marrëdhënieve do të pasonte një humbje të jashtëzakonshme demografike dhe ekonomike për Serbinë: Nëse Beogradi dhe Prishtina nuk do të normalizojnë marrëdhëniet, Serbia nuk do të mbyllë Kapitullin 35 në negociatat e saj në BE-në. Mungesa e përparimit në negociatat e anëtarësimit me BE-në do të çonte në një rënie të investimeve të huaja direkte nga anëtarët e BE-së dhe vendet e tjera të zhvilluara si dhe në një rënie të standardeve të jetesës në Serbi.

Burimet: "Euroactiv", "Balkan Insight" "Gazeta Expres"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë