Nga Gazeta 'SI' - Për shkak të mungesës së cilësisë dhe standardeve, prodhuesit shqiptarë përballen me refuzimin e produkteve bujqësore në kufi.
Një analizë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO) me anë të Programit Global i Cilësisë dhe Standardeve në Shqipëri gjeti se arsyet kryesore të refuzimeve për Shqipërinë janë mbetjet e pesticideve, 23% dhe etiketimi 22%. Shkaqe të tjera janë: kontaminimi bakterial 11%, gjendja/kontrollet higjienike 10% dhe falsifikimi/mungesa e dokumentit 8%.
Më shumë se gjysma e totalit të refuzimeve, 58% erdhi nga tregu i BE-së, ndërsa Kina përbënte një të tretën e tyre, 31%. Tregu amerikan mbulon pjesën e mbetur të refuzimeve 11%.
UNIDO thekson se refuzimi i produkteve ushqimore apo kafshëve në kufi, ka pasoja jashtëzakonisht të rënda dhe të kushtueshme. Kostoja totale e këtyre refuzimeve përfshin humbjen e produkteve të eksportit pasi ato zakonisht shkatërrohen nga vendi importues, humbjen e kostove të transportit, transportit të mallrave dhe sigurimit dhe çdo kosto tjetër të lidhur.
Përveç humbjes së fitimeve, refuzimet në kufi, dëmtojnë reputacionin e vendit dhe vendi importues mund të humbasë besimin në cilësinë dhe sigurinë e produkteve që vijnë nga vendi i eksportit; duke ulur kështu konkurrencën e eksportit të vendit të tretë në terma afatgjatë. Eksportuesve mund t'u duhet gjithashtu të shesin produktin me një çmim të zbritur për të llogaritur rrezikun dhe eksportuesit rrezikojnë t'i bashkohen listës së prodhuesve që përballen me kontrolle të përforcuara ë rastin e eksporteve në BE.
Mbështetur nga qeveria zvicerane, dhe zbatuar nga UNIDO, po asiston prodhuesit e vegjël dhe të mesëm në vend që të rrisin cilësinë edhe standardet e produkteve të tyre, në mënyrë që të aksesojnë tregjet europianë dhe me gjerë, si dhe të shmangin refuzimet në kufi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.