Ne rrjet

Refugjatët/ Pas kërcënimeve të Turqisë, Mitsotakis: Dialog me Erdoganin

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis iu përgjigj të dielën kërcënimeve të Turqisë për t'i lejuar refugjatët nga Siria të hyjnë në Evropë nëse nuk i jepet më shumë ndihmë ndërkombëtare. Kreu konservator grek kërkoi dialog fqinjësor.

“Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan nuk mund të kërcënojë Evropën dhe Greqinë për çështjen e refugjatëve që të përpiqen të marrin më shumë para … Europa tashmë ka dhënë gjashtë miliardë euro për të ndihmuar në trajtimin e kësaj çështje”, tha Mitsotakis në një konferencë për shtyp në Selanik.

Ai tha se bisedimet me Turqinë "nuk duhet të zhvillohen me kërcënime" por me mirëbesim. Të enjten, Erdogan bëri presion për më shumë fonde për t'u kujdesur për më shumë se katër milionë refugjatë të strehuar në Turqi, nga të cilët më shumë se 3.5 milionë kanë ardhur nga Siria. Nëse Erdogan hap kufijtë, ata do të dyndeshin drejt Greqisë e Shqipërisë.

Kufiri shqiptar është vetëm një orë larg nga Janina prandaj të gjithë emigrantët që duan të udhëtojnë nga Greqia për në Ballkan, zgjedhin këtë shteg. Rojet e FRONTEX u vendosën për herë të parë në Shqipëri korrikun e kaluar duke patrulluar tanimë kufijtë me Greqinë, në mënyrë që të parandalonin emigracionin e paligjshëm, por edhe të evidentonin rastet e trafikut të qenieve njerëzore.

Zakonisht emigrantët hyjnë në këmbë nga kufiri grek dhe nëse kapen nga rojet kufitare shqiptare dërgohen me autobus drejt Tiranës, ku pushojnë për disa ditë në qendrën e strehimit të refugjatëve në Babrru dhe se pastaj vazhdojnë udhëtimin drejt Bosnjës apo Malit të Zi.

Në vitin 2016, BE-ja dhe Turqia ranë dakord të frenojnë valët masive të emigrantëve që vinin drejt Evropës përmes ishujve Grekë që ndodhen afër Turqisë. Për këtë qëllim, BE-ja i ka ofruar një total prej 6 miliardë eurosh Turqisë.

Por Erdogan paralajmëroi të enjten se nëse BE-ja nuk rrit ndihmën ekonomike, Turqia mund t'i lejojë refugjatët të kalojnë në Greqi dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian,

"Ose na ndihmoni, ose mund të hapim kufijtë," tha ai.

Kohët e fundit Qipro raportoi një rritje të madhe të numrit të emigrantëve nga vendet e treta që vijnë nga Turqia. Këto zhvillime duket të jenë të lidhura me tensionet aktuale midis Ankarasë dhe Nikosisë për shpimin në det të hapur turk për naftë dhe gaz në zonën ekonomike të Qipros.

Po ashtu, qeveria konservatore greke i ka bëre thirrje BE për një ndarje më të drejtë të barrës së emigrantëve, duke deklaruar se tejet e shqetësuar për rritjen e numrit të refugjatëve në ishujt grekë përgjatë javëve të fundit.

“Që prej 7 korrikut, nuk ka kaluar asnjë ditë e vetme pa mbërritje të anijeve me refugjatë në ishuj ,” tha zëvendësministri për mbrojtjen e qytetarëve Giorgios Koumoutsakos për të përditshmen “Ekathimerini” në një intervistë.

Në pesë ishujt e Egjeut afër Turqisë, Lesbos, Samos, Chios, Kos dhe Leros “numri i përgjithshëm i refugjatëve dhe emigrantëve ka tejkaluar 20,000 persona,” tha ministri, i cili është përgjegjës për politikën e migracionit në qeverinë e re konservatore të Greqisë.

“Kjo përbën një rritje prej 17% brenda disa javësh”, theksoi ai.

Më 2015, në Greqi kanë arritur afro një milion refugjatë dhe emigrantë, kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës. Një marrëveshje ndërmjet BE-së dhe Turqisë më 2016 zvogëloi fluksin e migrantëve, por mbyllja e të gjithë kufijve në Ballkan, bëri që mijëra emigrantë të mbesin në Greqi. Organizatat humanitare kanë kritikuar Greqinë se nuk po bën mjaftueshëm për të përmirësuar kushtet në kampet ku gjenden emigrantët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë