Ekspozite

Refugjatë nëpër Shqipëri… Renuar Locaj përjetëson në foto dhimbjet, shpresën dhe “ëndrrat që mbartin”

Dhimbja, sakrifica, por edhe qëndresa dhe aspiratat e njerëzve të detyruar për t’u larguar nga vendet e tyre për shkak të luftës, dhunës dhe persekutimit vijnë të shpërfaqura artistikisht në një ekspozitë fotografike nga fotografi i njohur, Renuar Locaj.

Ekspozita “Ëndrrat që mbartim” e çelur në Muzeun Historik Kombëtar dhe kuruar nga Oltsen Gripshi, sjell më afër gjendjen shpirtërore të refugjatëve dhe emigrantëve nga Afganistani, Siria, etj, që gjenden aktualisht në Shqipëri, të cilët janë detyruar të lënë pas gjithçka që jetuan në vendet e tyre të origjinës për të nisur aventurën e një jete të re plot të panjohura.

“Kjo ekspozitë tregon rrugëtimin e refugjatëve që kalojnë nëpërmjet territorit tonë. Këto foto dokumentojnë dhimbjen, sakrificën e tyre, por edhe shpresën për një jetë më të mirë”, shprehet për Gazetën “Si” fotografi Renuar Locaj.

Fotografi rrëfen se historitë e të fotografuarve shpërfaqin të dyja anët e medaljes, si trishtimin, dramën e skajshme njerëzore, por aq edhe frymëzimin, si një himn i jetës.

“Historitë njerëzore të çdonjërit që kam takuar gjatë kësaj periudhe, janë të trishta, po aq edhe frymëzuese”.

Dhimbjet, pasiguritë dhe shpresën e këtyre njerëzve për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe të sigurt, fotografi i ka miksuar në fytyra të ndryshme. Por ata që zënë peshën më të madhe në këtë ekspozitë janë fëmijët.

“Mendoj se fëmijët janë viktima e vërtetë e këtij fenomeni”, vijon fotografi për Gazetën “Si”.

Fotot e paraqitura në ekspozitë janë realizuar në kampet e refugjatëve, në pikat kufitare përreth Shqipërisë, dhe vijnë si histori të cilat lidhen me njëra-tjetrën nga e njëjta ëndërr. Fotografi shpreson që nëpërmjet kësaj forme arti të shërbejë edhe si një katalizator për të sjellë ndryshimin e këtij realiteti të dhimbshëm.

“Duke qenë se fotografia është një nga format e komunikimit më të forta në botë shpresoj që këto fotografi të jenë një faktor ndryshimi për migracionin”, shprehet më tej fotografi për Gazetën “Si”.

Fotografi Renuar Locaj

Fotografi shpjegon më tej për Gazetën “Si” edhe titullin që i përbashkon dramat e këtyre njerëzve që braktisën vatrat, ku duke marrë me vete lidhjen shpirtërore me atë tokë, jetojnë me pasiguri për të tashmen.

“’Ëndrrat që mbartim’, sepse të gjithë ne, pavarësisht se ku jetojmë, ëndërrojmë një jetë më të mirë. Të gjithë personazhet që kam fotografuar kanë ëndrra ashtu sikundër ne. Ne jemi të barabartë dhe kemi të drejtë të jetojmë në siguri dhe të lirë”.

Ekspozita e fotografisë vjen e pasuruar edhe me sende si veshje, këpucë, fotografi të marra me vete nga refugjatët dhe migrantët si një kujtesë e tyre për të identifikuar të shkuarën.

“Ëndrrat që mbartim”

Nëpërmjet objektivit të aparatit të tij, Locaj ka arritur të përjetësojë skena të larmishme të mbërritjes së refugjatëve, azilkërkuesve dhe migrantëve, me “valixhet” e mbushura me ëndrra.

Por, rasti i Shqipërisë për ta është dëshmia e mikpritjes pa kushte.

“Ata vlerësojnë shumë mikpritjen tek ne, pasi Caritas Albania, UNHCR (Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët), institucionet shtetërore janë për t’u vlerësuar për shërbimet që bëjnë për refugjatët. Këta refugjatë detyrohen të lënë çdo gjë për shkak të luftës në vendet e tyre me ëndrrën për një jetë më të sigurt.  Mos të harrojmë, se këta refugjatë kanë nevoja bazike më shumë se çdo nevojë tjetër”, përfundon fotografi për Gazetën “Si”.

Pas Muzeut Kombëtar, ekspozita do të vijojë rrugëtimin edhe në qytetet kufitare të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë