Gjatë gërmimeve të realizuara në muajt shtator-tetor 2021 nga arkeologët u arrit të zbulohet një rit varrimi shumë i veçantë dhe që haset për herë të parë në territorin e Durrësit. Ai mendohet se është i pari i këtij lloji edhe në territorin e Shqipërisë.
Refrigeriumi ishte një vakt përkujtimor i konsumuar mbi (ose brenda) një varri. Ai bëhej në mënyrë ciklike ditën e vdekjes, ditën e nëntë pas vdekjes dhe më pas në çdo përvjetor.
Gjatë realizimit të tij derdhej ujë, verë, qumësht ose mjalt mbi varrin e të vdekurit, me qëllim ngushëllimin apo “freskimin” (nga këtu vjen fjala latine ‘Refrigerium’) e shpirtit të tij, i cili siç besohej asokohe qëndronte gjithnjë afër trupit.
Brikena Shkodra-Rrugia është arkeologia që drejtoi kërkimin shkencor që u zbatua nga Instituti i Arkeologjisë dhe ajo rrëfen në videon “Kultura në 1 minutë” mbi zbulimin që u has në një varrezë me 12 varre, që i përkasin 3 periudhave të ndryshme kronologjike, që mendohet se nisin nga fundi i shekullit 6 të Erës Sonë. /Amfora
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.