Gazeta Si – Objekti i punës së komisionit për reformën zgjedhore vijon të mbajë peng ngritjen e këtij komisioni nga ana e Parlamentit.
PS dhe PD kanë rënë dakord vetëm për përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të këtij komisioni, por jo për objektin e punës, që lidhet me sa thellë duhet të shkojë reforma e radhës zgjedhore.
“Unë e kam thënë disa herë që kemi një qasje dhe diskutim me grupin parlamentar të PD zyrtare për të gjetur formulimet e sakta sa i përket objektit të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Formulimi i objektit të punës është shumë i rëndësishëm. Ne duam të ruajmë të njëjtin përcaktim si në komisionet e kaluara të reformës që kanë të bëjnë me hartimin e ligjit zgjedhor, sipas rekomandimeve të OSBE. Ky është një detyrim që Shqipëria ka edhe për procesin e integrimit europian”, tha Taulant Balla.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së u shpreh se shumica nuk po diskuton politikisht me opozitën në lidhje me zgjatjen e afateve të vettingut. Sipas socialistëve, vettingu konsiderohet një proces tërësisht teknik dhe rekomandim edhe i partnerëve ndërkombëtarë.
“Vettingu nuk është çështje e bindjeve politike, por për çuarjen përpara të reformës në drejtësi. Pa vettingun nuk do kishim një drejtësi të pastruar nga disa elementë. Ne kemi thënë prej ditës së parë, iniciativa për shtyrjen e mandateve të organeve të vettingut nuk është domosdoshmëri e PS, por për të çuar përpara këtë proces”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




