Politike

Reforma Zgjedhore nis pa PD, PS: Një karrige e kanë bosh!

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore është mbledhur sot për herë të parë pa praninë e opozitës që ka braktisur Parlamentin, ndonëse bashkëkryetari Damian Gjiknuri, u shpreh se në atë Komision ka një karrige bosh edhe për ata që kanë djegur mandatin.

Gjithsesi, përveç anëtarëve të mazhorancës, në sallë ishte edhe opozita e re, e cila përfaqësohej nga deputetët Rudina Hajdari apo Ralf Gjoni.

Të pranishëm ishin të gjithë ambasadorët në Shqipëri, përfshirë të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës Amerikane, Leyla Moses-Ones.

Gjiknuri ka lënë hapur mundësinë e bashkëpunimit me PD dhe aleatët e saj, por ka nënvizuar se procesi do të vijojë pavarësisht nga mungesa e tyre.

“Dua të jap një mesazh për dijeni të publikut dhe të ftuarve që kemi në sallë. Ne në këtë Komision të Reformës Zgjedhore përfshimë edhe përfaqësues të opozitës jashtëparlamentare, të cilët me vullnetin e tyre zgjodhën të mos bëhen pjesë në këtë parlament, dorëzuan mandatet dhe refuzuan pjesëmarrjen nga Komisioni i Reformës Zgjedhore dhe administrata e Kuvendit i është drejtuar zyrtarisht që ata të kenë një përfaqësues të tyre me të drejta të plota, njësoj si bashkëkryetarët e Komisionit të jetë pjesë integrale e procesit, - u shpreh Gjiknuri. - Ata kanë refuzuar dhe përgjigja është bërë publike janë në të njëjtat tone dhe linja sepse nuk e njohin këtë parlament dhe nuk e njohin Komisionin e Reformës Zgjedhore, por unë e deklaroj publikisht që ne do të vazhdojmë pavarësisht mungesës së vullnetit të tyre dhe nga ana tjetër ata e kanë gjithmonë një vend, një karrige bosh këtu për të qenë pjesë në çdo kohë që ata e gjykojnë të  arsyeshme”.

Në fjalën e saj, bashkëkryetarja Rudina Hajdari vuri theksin te një sistem i ri zgjedhjesh, ndërsa tha se kemi arritur në një pikë ku një mandat për deputet kushton 1 mln euro, ndërsa shtoi se tregu i zgjedhjeve është kthyer, sipas saj, në një treg të zi të shit-blerjes së votë.

“Sistemi aktual është i dominuar nga anti-kushtetueshmëria, klasa politike nuk është e përfaqësuar nga njerëzit, por përfaqësohet në mënyrë të padrejtë në Kuvend. Shqiptarët janë të interesuar për këtë reformë. Kjo reformë kërkon vullnet të gjerë politik, - theksoi Hajdari. - Kemi arritur në një pikë ku  një mandat nga një deputet kushton gati te 1 mln euro. Kjo tregon që jemi në një pozitë të vështirë, sepse tregu i zgjedhjeve është kthyer në një treg të zi të shit-blerjes së votës. Mendoj se një nga objektivat e këtij komisioni është që duhet të arrijmë një konsensus politik që t’i japë mundësi shqiptarëve të përfaqësohen në zgjedhje dhe në mënyrë që njerëzit më të mirë e më të ndershëm të jenë pjesë e parlamentit”, - shtoi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë