Politike

A do të dështojë reforma zgjedhore e radhës?

Marrëveshja e arritur mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës në vitin 2001, pasonte zgjedhjet e vitit 2001 dhe të famshmin fenomen të Dushkut, që ndodhi në atë kohë. Ujdia u cilësua si pakt për reforma, jo për pushtet.

Prej asaj kohe, të gjitha reformat që kanë ndryshuar Kodin Zgjedhor janë kryer me konsensus, kryesisht mes dy partive të mëdha, pavarësisht klimës politike të ashpërsuar hera-herës.

Aq të interesuara kanë qenë PD dhe PS për të ndërhyrë në Kod, sa OSBE e quante “të pazakontë aftësinë e këtyre dy partive për dialog në kuadër të reformës në ligjin zgjedhor”. Por, gjithçka mbeti në kuadër të dialogut dhe në raportin për zgjedhjet vendore të 2003, OSBE/ODIHR theksoi se fryma e bashkëpunimit mes dy partive të mëdha nuk u reflektua në procesin zgjedhor.

Katër vite më vonë, kur PD kishte dy vite që kishte ardhur në pushtet dhe Fatos Nano ishte zëvendësuar nga Edi Rama në krye të Partisë Socialiste, PS dhe PD nënshkruan një marrëveshje të orëve të fundit në Presidencë, marrëveshje që pasoi ndryshimin e parë të Kushtetutës së vendit.

Marrëveshja ishte produkt i një dialogu të vështirë mes palëve, por një vit më vonë gjërat ishin ndryshe. PS dhe PD i bashkoi interesi për të goditur partitë e vogla dhe në një pakt thuajse në fshehtësi, jo vetëm nga publiku, por edhe nga partitë e tjera më të vogla, realizonin ndryshimet e famshme të Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës të 2008.

Ndryshimet pasuan protestën e LSI-së dhe në atë kohë, Ilir Meta dhe deputetët e tij u futën në grevë urie në Parlament, por pa ja arritur qëllimit që të ndalnin konsensusin e të mëdhave. Për herë të parë, në zgjedhjet e 2009, në vend u aplikua sistemi proporcional rajonal dhe me lista të mbyllura. Pragu zgjedhor për partitë u vendos 3 për qind, ndërsa për koalicionet politike 4 për qind.

Por, në zgjedhjet e 2009, me katër deputetët e marrë Ilir Meta do të përcaktonte Qeverinë e re dhe kjo, falë edhe sistemit të ri zgjedhor. Hyri në koalicion me Partinë Demokratike, që në mandatin e dytë u detyrua të ndajë pushtetin me një tjetër forcë politike.

Një vit para zgjedhjeve të 2013, LSI nxiste ndryshimin e Kodit Zgjedhor, por luajti një rol më neutral në krahasim me reformën e 2008. PS dhe PD u bënë sërish protagoniste dhe morën në dorë edhe njëherë fatin e reformës zgjedhore.

Ndryshimet e reja morën parasysh një sërë rekomandimesh të OSBE/ODIHR dhe Kodi i ri u quajt një bazë solide për zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike. Kjo ishte reforma e fundit e Kodit Zgjedhor, me të cilin vendi ka zhvilluar tre palë zgjedhje; parlamentaret në 2013, vendoret në 2015 dhe sërish parlamentaret në 2017.

Shqiptarët do t’u drejtohen sërish kutive të votimit vitin e ardhshëm dhe dy partitë e mëdha, ashtu siç ODIHR deklaronte  e habitur në 2003 për aftësinë për të diskutuar për këtë çështje, vazhdojnë diskutimet, ndoshta në të vetmen çështje të patrazuar nga konfliktualiteti politik Rama-Basha.

Në total janë 51 rekomandime që janë shtruar në tryezën e Komisionit të Reformës Zgjedhore, që drejtohet nga dy bashkëkryetarët, Bledi Çuçi i PS dhe Oerd Bylykbashi i PD. Komisioni nisi fazën e dytë të punës, larg vëmendjes publike me shqyrtimin e kërkesës kryesore të opozitës, përdorimin e teknologjisë në zgjedhje.

Mazhoranca kërkon që të mos nxitohet në këtë pjesë dhe të analizohen të gjitha praktikat botërore dhe se si mund të ndiqet ato në realitetin shqiptar zgjedhor.

PD, nga ana tjetër, mbështet idenë e aplikimit të një projekti pilot për zgjedhjet vendore dhe më pas shtrirjen e votimit elektronik në të gjithë vendin. Demokratët besojnë se teknologjia redukton rrugët që ushqejnë shit-blerjen e votës dhe depolitizon administrimin zgjedhor, dy rekomandime kryesore që ODIHR ia ka lënë Shqipërisë.

Por, ndërkombëtarët janë skeptikë.

“Nëse duhet përdorur është në dorë të Shqipërisë”, thanë ekspertët e huaj Steven Martin i ODIHR dhe Tarvi Martens, nga Komisioni i Venecias. Teknologjia sipas ekspertëve është pengesë ndaj mashtrimit zgjedhor dhe mundëson një administrim të shpejtë të procesit pa kontakt njerëzor, por nuk ndikon dhe aq tek pjesa tjetër e shit-blerjes së votës, sepse kjo vepër realizohet para ditës së votimit.

Palët janë ende larg një produkti final, por me gjithë shembujt që sjellin zgjedhjet e kaluara, ku gjithmonë pala humbëse ka folur për parregullsi serioze në proces, pyetja që ngrihet më të drejtë është: a do t’i zhdukë reforma e radhës këto akuza?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë