Politike

‘Reforma në Drejtësi, meritë e PS’, Rama: Kurrë nuk kishte pasur në Shqipëri gjyq të pandikuar nga pushteti

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët, duke folur për rastet e korrupsionit, deklaroi se Partia Socialiste ishte ajo që e kërkoi me ngulm Reformën në Drejtësi dhe se vetëm gjatë qeverisjes së tij ka pasur gjyq të pandikuar nga pushteti politik.

“Ajo që po ndodh me drejtësinë nuk është e shkëputur nga ajo që kam thënë unë. Kur kam thënë që nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, por sistemi që korrupton njerëzit, e para nuk e kam shpikur unë këtë frazë. Është dituri publike kjo, që e kam mësuar dhe e besoj 100%. E dyta, pikërisht sepse e kam besuar, kam udhëhequr përpjekjen për Reformën në Drejtësi, për të ndërtuar një sistem që njerëzit nuk mund ta korruptojnë.

PS ka 800 mijë mbështetës, do të ketë dhe më shumë në pranverë. Mund të ketë pasur në këto mandate mbi 50 ministra, mbi 500-600 drejtues vendor, mbi 200 deputetë… Mund të thoni që Reformën në Drejtësi e solli Amerika me aeroplan, që e solli BE-ja me vapor nga Brindizi, por për këdo që njeh historinë e kësaj reforme, mjafton të kthehet mbrapa në histori, kur ishim në opozitë, se janë në dokumenta të shkruara që opozita e asaj kohe ia ka çuar qeverisë së asaj kohe propozimet që quhej “Pakti për shtetin e së drejtës”. Lexoni aty çfarë thotë ai pakt. Edhe programi i PS në opozitë ishte realizimi i Reformës në Drejtësi. Këto janë fakte të shkruara. Tani, ju (gazetarët) thoni që m’i kapën të gjithë. Çfarë më kapën? Është habi e madhe shumë. Nëse kjo po ndodh në Shqipëri, të drejtën e autorit për faktin që u shemb një sistem drejtësie, dihet kush e ka. Mund të diskutojmë pastaj a ka gjëra që nuk shkojnë apo jo”, deklaroi Edi Rama.

“Më tregoni kur ka pasur Shqipëria një gjyq të pandikuar nga pushteti politik që ka çuar deri në burg një person të lidhur me pushtetin politik. Ma thoni një rast! Nuk ka pasur. Nuk ka pasur sistem drejtësie siç duhet. Thonë që ka pasur drejtësi të mirë në kohë të Zogut. Dakord, mund të ketë pasur, por jo për ministrat dhe bashkëpunëtorët e Zogut”, shtoi kryeministri. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë