Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se për reformën e pensioneve nevojitet një vizion afatgjatë dhe një plan i qëndrueshëm, për të mos shkaktuar pasoja të rrezikshme.
Gjatë konferencë ndërkombëtare për reformën në sistemin e pensioneve në Shqipëri, Rama solli në vëmendje reformën e pensioneve të ndërmarrë në vitin 2014 dhe situatën e skemës së pensioneve para këtij viti.
Ai shtoi se Qeveria sot është e gatshme të marrë përgjegjësinë për kërkesat e të moshuarve, por sipas kryeministrit, ata janë të vetëdijshëm se në këtë pikë do të ishte fatale nëse do të vepronin pa një plan veprimi afatgjatë.
“Edhe në sistemin e pensioneve ka ndodhur e njëjta gjë, duke menduar sot për sot dhe duke krijuar premisat e një skeme në prag të kolapsit. Ndërsa drejtorja e Bankës Botërore për Europën Juglindore më kishte thënë në takimin e parë ‘prioriteti më i madh i qeverisë tuaj është parandalimi i më të keqes.’
Sot natyrisht jemi në kushte absolutisht të tjera dhe patjetër që e ndiejmë, e mirëkuptojmë dhe njëkohësisht edhe e marrim përgjegjësinë lidhur me kërkesën insistuese të pensionistëve për të marrë pjesë në mënyrë më domethënëse në shpërndarjen e fryteve të reformave dhe rritjes së përgjithshme të ekonomisë”, tha Rama.
“Nga ana tjetër jemi shumë të vetëdijshëm që do të ishte fatale nëse në këtë pikë ne do të vepronim pa pasur një vizion afatgjatë dhe pa pasur një plan të qëndrueshëm afatgjatë, sepse do të shkaktonim të njëjtat dëme dhe pasoja shumë të ngjashme me ato që u shkaktuan nga veprimet që faktikisht na kishin vënë para një sistemi pensionesh tërësisht të pakuptueshëm, absurd dhe të rrezikshëm kur ne ndërmorëm reformën e vitit 2014”, shtoi Rama.
Ai kujtoi se në reformën e vitit 2014 u bë një proces i ngjashëm me këtë që po bëhet sot duke përfshirë sa më shumë aktorë, dëgjuar sa më shumë eksperienca, realizuar sa më shumë skenarë dhe duke bashkëpunuar ngushtësisht me eksperten kryesore që na vuri në dispozicion Banka Botërore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.