Ekonomi

Reforma e pagave, Ibrahimaj: Kuvendi do të preket në një moment të dytë. Përfitojnë 133 mijë punonjës

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tregoi sot se rritja e pagës për Kuvendin do të konsiderohet në një moment të dytë dhe jo tani.

Duke prezantuar programin e rritjes së pagave në Komisionin e Ligjeve, Ibrahimaj tha se tani fokusi i qeverisë është vetëm rritja e pagës për administratën dhe funksionet publike, por edhe për presidentin dhe funksionarët që lidhen me të. 133 mijë punonjës përfitojnë nga rritja e pagës.

“Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit ekonomik për të qenë sa më konkurrues me vendet e rajonit për integrimin në BE duhet që të bëjmë miratimin e këtyre ligjeve. Po bëjmë realitet një rritje pagash që më parë ishte e paimagjinueshme. Paga do të shkojë në 900 euro përmes dy hapave, ka nisur hapi i parë në prill dhe pritet që rritja tjetër të bëhet në prill të vitit 2024. Gjithashtu është rritur paga minimale që deri në fund të mandatit tonë pritet që të shkojë në 45 mijë lekë.

Kjo është një politikë që synon të vijë në ndihmë një fashë punonjësish për mundësi të reja, kjo është si rezultat i fashës së arritur nga qeveria, një vendim i tillë do të sigurojë më shumë të ardhura për qytetarët, ky vendim është një vendim që është marrë pas studimit të nivelit që kishim me vendet e rajonit dhe të Ballkanit Perëndimor, dhe me rritjen e bërë është bërë krahasimi me disa vende të BE-së përgjatë një periudhe prej 10-15 vjet. Përfitojnë 250 funksionarë politike dhe të tjerë të cilët pagën e kanë të lidhur me pagën e presidentit dhe efekti financiar për këtë kategori llogaritet në 20 milionë lekë”, tha ministrja në Komision.

Ajo shtoi se deri në fund të mandatit të saj, paga minimale në rang vendi do të arrijë 45 mijë lekë.

Anëtarët e Komisionit votuan pro projektligjit dhe nuk pati kundërshtime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë