Politike

Referendumi, Maqedonia përgatitet për “stuhinë”

“Mandati im si Kryeministër përfundon në vitin 2020. Por nëse referendumi dështon, ne i kemi dhënë fund politikës. Pse duhet të udhëheqim, kur vendi ynë nuk do të ketë më të ardhme?". Kështu e nisi kryeministri Zoran Zaev konferencën e parë të referendumit për ndryshimin e emrit, të cilët e ka quajtur "Maqedonia shikon përpara”. Ai i kërkoi kërkoi sërish partisë kryesore të opozitës, VMRO-DPMNE-së, që të bashkohet dhe të mundësojë një referendum të suksesshëm për një të ardhmen e vendit, duke theksuart se Maqedonia gjendet përballë një vendimi historik.

"Duhet të jemi të bashkuar. Opozita dhe qeveria mund kenë ndryshime dhe nuk pajtohen në shumë çështje, por për të bërë historinë, duhet të qëndrojmë së bashku. VMRO-DPMNE duhet të punojë për të siguruar një të ardhme të begatë për Republikën e Maqedonisë. Për këtë arsye nuk do të ndaloj si bëri thirrje opozitës për t'u bashkuar me referendumin”, deklaroi kryeministri maqedonas,  në një fjalim në Shkup.

Kryeministrat Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras

Sipas një sondazhi të realizuar së fundmi në  Maqedoni, shumica e qytetarëve po planifikojnë të votojnë "po" në referendumin për ndryshimin e emrit. Në pyetjen e referendumit “A jeni për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe në NATO, me pranimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë”, 41.5 për qind e të anketuarve u përgjigjën me “Po”, ndërsa 35.1 për qind ishin kundër marrëveshjes. Sipas sondazhit, 66.4 për qind e të anketuarve thanë se do shkonin në referendumin e planifikuar për më 30 shtator, ditë kur vota e elektoratit pritet të vulosë ose jo marrëveshjen meqë i jep një emër të ri Maqedonisë: Republika e Maqedonisë Veriore. 

Por sipas “Euroactiv”, dallimet mes dy grupeve më të mëdha etnike në Maqedoni janë më të mprehta se kurrë: 88% e shqiptarëve mbështesin marrëveshjen, por vetëm 27% e maqedonasve janë pro saj.  Shumica e partive shqiptare duket se janë të hapura ndaj propozimit të Zaev për mbajtjen e referendumit në shtator. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka deklaruar se shqiptarët janë “pro” marrëveshjes me Greqinë dhe sipas tij, mbi 90 për qind e votuesve shqiptarë jo vetëm që do marrin pjesë në referendum, por do të ftojnë pjesën tjetër të qytetarëve të votojnë.

“Dallimet ekzistojnë dhe ne bëmë tërheqje dhe u dakorduam që pasi dy palët maqedonase duan që kjo çështje të kalojë në referendum atëherë edhe ne u pajtua. Por, referendumi mund edhe të keqpëdroret në aspektin numerik, nga ndikimet e jashtme. Për ne me rëndësi është që referendumi të jetë i suksesshëm”, theksoi Ahmeti në një intervistë televizive.

Ali Ahmeti

Sipas marrëveshjes, të gjithë shtetasit do të evidentohen si maqedonas të Maqedonisë së Veriut, pra përfshirë këtu edhe shqiptarët dhe bashkësitë tjera etnike. “Problemi i kontestit të emrit me Greqinë nuk është problem i shqiptarëve. Ai është problem me komunitetin maqedonas. Pra, pjesë e kontestit nuk ka qenë çështja e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë dhe mendoj se me këtë marrëveshje gjërat janë definuar dhe kanë rënë në vendin e duhur. Shqiptarët janë qytetarë të Republikës së Maqedonisë”, ka deklaruar Ahmeti.

Për të bindur qytetarët t’u drejtohen kutive të votimit, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë Nikola Dimitrov deklaroi se ata e janë për detyrë ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike.

“Nuk mund të kërkoni anëtarësimin në BE dhe NATO dhe në të njëjtën kohë të jeni kundër marrëveshjes që hap dyert europiane për Maqedonine dhe këput zinxhirët që na kanë mbajtur të lidhur për dekada të tëra. ", tha ai. Dimitrov shprehet se rajoni përballet me një sërë sfidash të brendshme dhe të jashtme, të cilat do të tejkalohen vetëm duke bërë të mundur “europianizimin” e Ballkanit Perëndimor. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë