Redjan Rraja, i akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, ka mohuar akuzën në sallën e gjyqit.
Në vijim, prokurori Adnand Xholi lexoi deklarimet e dhëna në vitin 2019, ku po ashtu Rraja ka mohuar përfshirjen e tij në ngjarje.
“Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen”, tha Rraja, ndërsa nuk dha pëlqim për t’u pyetur në proces.
I pyetur nga prokurori në lidhje me faktin se profili i tij ADN-së përputhet me atë të gjetur në sendet e sekuestruara në automjetin e atentatorëve të Ndojës, Rraja është shprehur se i janë marrë dy monstra.
“Më janë marrë dy herë monstrat e pështymës dhe gjurmët e gishtave në Drejtorinë e Policisë. Nuk e di si janë përdorur. Në një rast më janë marrë pa avokat, edhe pse kam kërkuar praninë e tij. Po ashtu më kanë marrë shumë rroba në makinën time pas arrestimit”, tha Rraja.
Njëkohësisht, Gjykata e Posaçme delegjitimoi nga procesi një prej avokatëve të Rrajës, Alban Bengasi, i cili është shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen “Plumbi i artë”.
Gjykata theksoi se avokati Bengasi nuk legjitimohej, pasi ndaj tij ishte dhëne një masë sigurie “arrest me burg”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.