Gazeta Si – Humbja në Izrael e shtoi dozën e kritikave karshi trajnerit Edi Reja dhe Kombëtares shqiptare, që së fundi ka lënë për të dëshiruar në lojë dhe rezultate. Të shumtë janë ata që konsiderojnë fajtor Rejën dhe sipas të gjitha gjasave italiani do të largohet pas ndeshjes së sotme me Islandën. Por a është ai problemi i vetëm.
Redi Jupi, ish-lojtar i Kombëtares dhe specialist futbolli, gjykon se shkaqet e krizës së Kombëtares dhe futbollit shqiptar janë të tjera. Sipas tij, gjithçka lidhet me sistemin e ngritur nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Një sistem që ka kosto të madhe për futbollin shqiptar.
‘Mendoj se i kam gjetur shkaqet e krizës. Shikoni rezultatet e Kombëtares U-21 në dy vitet e fundit, janë vetëm humbje. Shikoni Kombëtaren U-20, nuk i nxjerrin as rezultatet në faqe. Shikoni rezultatet e fundit të Kombëtares U-19, pavarësisht kundërshtarëve të vështirë. E me radhë deri tek U-15.
Të gjithë trajnerët e ekipeve tona kombëtare janë mbledhës votash në zonat e tyre. Janë bastione elektorale vetëm që ky president që është të sigurojë qëndrimin aty ku është sa më gjatë.
Atëherë, kjo ka konflikt interesi, sepse nëse një trajner shkon dhe bëhet depozitues votash, ai hyn në borxh me ata njerëz atje në atë zonë. Ata kërkojnë të futet një ekip U-15 në Superiore, një tjetër në Kategorinë e Parë, një lojtar në kombëtaret e moshave etj.
Dhe e gjitha kjo është firo, që shkon deri në Kombëtaren e madhe. Këta njerëz që përmenda, nuk janë profesionistë të këqinj, janë profesionistë të mirë secili në pozicionin e vet, por është e pamundur të bëjnë ekipin, sepse futen shumë njerëz. Kështu arrijmë në pikën që themi se kemi lojtarë shumë të mirë në të gjitha ekipet kombëtare, por kemi as lojë dhe as performancë”, – tha Jupi në ‘Procesi Sportiv’.
Më tej ai komentin pozicionin e Rejës dhe thekson se Duka duhet të hapë krahun: “Kam informacion se Reja ka ardhur nëpërmjet njërit prej zyrtarëve më të lartë të shtetit, është intermediar. Nuk është se nuk më pëlqen Reja si person. Teknikisht nuk e godet dot, sepse ka mbi 1000 ndeshje si profesionist.
Problemi ëhstë tjetër. Shiko Superioren, ekipet kombëtaree, moshat. Çfarë po bëjmë. Për një person duhet të vuajë kusuret gjithë futbolli. Tani presidenti i FSHF-së do të përballet me pakënaqësinë e njerëve. Është shumë e kollajtë, nëse gjërat nuk ecin. Ka 20 vjet që nuk bën gjë, është futur në borxhe, atëherë hap krahun”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.