Muzike

RedCloud/ Nuk janë rimbursuar biletat e koncerteve të anuluara në Tiranë

Nga Gazeta ‘Si’- Anulimi i disa koncerteve që pritej të mbaheshin në Tiranë, veç zhgënjimit të pjesëmarrësve, ka shkaktuar edhe një dëm tjetër: atë financiar.

Shkak për këtë është bërë moskompensimi i parave të biletave që blerësit kishin paguar kohë përpara mbajtjes së supozuar të koncerteve.

Sipas burimeve të Gazetasi.al, ata që nuk janë kompensuar, në fakt janë shumë syresh.

Fajin ia atribuojnë drejtpërdrejt kompanisë së argëtimit RedCloud.al e cila ka krijuar skepticizëm dhe pakënaqësi mes këtyre blerësve.

Qytetarët të cilët i kanë blerë biletat nga aplikacioni Vivere.al shprehen për Gazetasi.al se ende nuk kanë marrë mbrapsht paratë e biletave të anuluara që nga shfaqja e musical-it “Chicago” e cila ishte planifikuar në datat 8 dhe 9 Shkurt 2025.

E kontaktuar nga Gazetasi.al, zëdhënësja e RedCloud, Xhesika Gjika sqaron se kompensimi ka një afat prej 90 ditësh nga dita e blerjes. Por, nga përllogaritja i bie që prej datës 9 shkurt  kanë kaluar më shume se 100 ditë dhe kompensimi nuk është kryer.  

Administratori i RedCloud.al, Klodian Makashi thotë për Gazetasi.al se kryesisht ata që nuk janë kompensuar janë blerësit në pikat fizike të cilët nuk kanë dërguar e-mail për kompensim.

“Ne kemi marrë ankesa edhe nga ‘Agjencia për mbrojtjen e konsumatorit’ për disa individë të cilët nuk ishin kompensuar për arsye se kishin blerë biletat fizike dhe nuk ishin regjistruar në database ose kishin humbur email-in dhe nuk bënin dot kërkesë”, vëren ai.

Ai shton se kompania financiare me të cilën bashkëpunojnë dhe që realizojnë veprimet financiare ka një afat 55 ditë për kompensim.

Porse ai deklaron se pas kësaj date duhet të dërgohet e-mail nga blerësi në mënyrë që të kompensohet, në fakt, qytetarët nuk marrin asnjë njoftim se çfarë ndodh me paratë e tyre në rast të një anulimi të koncerti.

Por këtë pohim e hedhin poshtë qytetarët që janë ankuar të cilët thonë se edhe pse kanë dërguar email e po ashtu kanë vënë në dijeni kompaninë, sërish ata nuk kanë marrë paratë mbrapsht.

Ata nuk janë të fokusuar tek procedurat shpesh burokratike të cilat këto kompani e kanë praktikë në rast anulimi, por tek qëllimi i tij i cili është argëtimi.

Duhet një ‘guidë’ e postuar nga faqja e cila dikton njëfarë zgjidhjeje për një situatë të tillë.

Ashtu sikurse në faqen zyrtare të RedCloud.al nuk mungojnë njoftimet për anullime shfaqjesh që nga Gushti i shkuar  (si psh, “Tenorët” e anuluar për shkak të kushteve atmosferike, “Las Vegas, Magic festival”, “Shaolin Kung-fu” etj) ashtu nuk duhet të mungojnë edhe njoftimet e qarta mbi aplikimin apo kompensimin në rast se ky i fundit nuk kryhet në kohë.

Ankesat e qytetarëve të evidentuara për Gazetasi.al i konfirmon edhe “Agjencia e mbrojtjes së konsumatorit” e cila pohon se ka pasur ankesa në lidhje me vonesat e kthimit të parave nga ky subjekt por pa bërë të ditur  numrin e ankesave dhe përmbajtjen specifike të tyre.

Anulimi i eventeve në këtë dyndje organizimesh, edhe mund të kuptohet,  por ajo që nuk justifikohet është moskompensimi në kohë dhe mungesa e korrektesës ndaj qytetarëve të cilët paguajnë për eventet. Zvarritja e kompensimit të biletave, e zhbën raportin e gatishmërisë në rastin e blerjes me atë të kthimit, shpesh pa marrë parasysh se këto evente edhe pse të shpeshta dhe të kushtueshme, nuk bëhen pa publikun,  i cili shpenzon për shfaqje të cilat nuk arrin t’i shijojë, shpesh edhe me barrën e moskompensimit të parave të shpenzuara.

Në fund, fatura nuk rëndon mbi kompaninë, por mbi qytetarin që paguan dhe mbetet pa shërbim, e gjithashtu ende pa drejtësi, por me pyetjen dhe dyshimin legjitim, se ku kanë përfunduar paratë e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë