Gazeta Si – Red Bull ka prezantuar para Ferrarit dhe Mercedesit makinën e sezonit të ri, versionin RB18, me të cilin Maks Vershtapen do të synojë titullin e dytë radhazi.

Kampioni në fuqi është dukur mjaft i motivuar dhe gati për të zbritur në pistë për testet në Barcelonë, dhe mbi të gjitha krenar për numrin 1 në pjesën e përparme të makinës. Në krah të tij do të jetë përsëri Serxhio Perez. Për të dy pilotët fokusi është ai i zhvillimit të një makine të lindur nga një rregullore teknike e re.
Edhe në këtë rast “zbulimi” ishte fiktiv dhe i limituar nga dizajni i azhurnuar në favor të sponsorit, me prani më të madhe të “Oracle”, që është bërë kështu “title sponsor” i skuderisë Red Bull. Emërtimi i ri i skuadrës në fakt është “Oracle Red Bull Racing”.
Është zhdukur logoja e Hondës, e zëvendësuar në pjesën e poshtme të kofanos me “HRC” (Honda Racig Corporation). Red Bull-i do të vazhdojë deri në vitin 2024 të përdorë “power unit Honda”, e administruar dhe zhvilluar nga “Red Bull Powertrains” që përveçse i ka marrë rivalit direkt të Mercedesit një inxhinier motorist të nivelit të lartë, si Ben Hodgkinson, po shfrytëzon edhe bashkëpunimin me personelin e Hondës.
Kristian Horner, drejtues i lartë i Red Bull-it, ka lënë të kuptohet gjatë fjalës së tij se makina që i është paraqitur publikut është një “showcar”. Sipas tij, RB18 e vërtetë do të shihet në testet e Barcelonës, që do të zhvillohen më 23-25 shkurt. Maks Vershtapen është shprehur se mezi pret të zbresë në pistë me makinën e re.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.







