Motosport

Red Bull godet në Spanjë, Vershtapen merr kreun e renditjes

Gazeta Si – Triumf dopio i Red Bull në Spanjë. Kampioni i botës, Maks Vershtapen, ka përfituar nga tërheqja e Leklerk. Me këtë fitore i ka marrë francezit edhe vendin e parë në renditjen e Botërorit.

Zhgënjim i madh për Ferrarin. Një problem teknik në motorr ka kushtëzuar tërheqjen e Sharl Leklerk, dominues në 27 xhirot e para. Ka përfituar Red Bull, që ka arritur suksesin e 4-t sezonal.

Mak Vershtapen pas fitores. Gazeta Si, 22 maj 2022

Maks Verhstapen, për herë të parë këtë sezon, është ngjitur në krye të klasifikimit të përgjithshëm. Perez zuri vendin e dytë në Montmelo, duke dalë para Mercedesit të Xhorxh Rasëll.

Ferrari duhet të kënaqet me vendin e 4-t të Karlos Sainz, i cili u nis keq. Ljuis Hemilton doli në vend të 5-të, që e arriti duke rikuperuar jo pak pas një kontakti me Magnusen në xhiron e parë.

Ishte një goditje e dyfishtë e Red Bull në këtë garë. Pavarësisht problemeve që shfaqi në kualifikuese, Vershtapen arriti suksesin e dytë personal në Barcelonë. Fitoren e parë e ka regjistruar në debutimin me Red Bull, në 2016-ën.

Ishte fitorja e tretë radhazi për pilotin holandez, pas atyre të Imolës dhe Majemit. E katërta në këtë sezon për kampionin e botës, sa dyfishi i Leklerk, që mbetet te dy sukseset e Sakhir dhe Melburn.

Tani francezi ka zbritur në vend të 2-të të Botërorit, me 104 pikë. Holandezi, tashmë lider i Botërorit, është ngjitur në kuotën e 110 pikëve. Interesant është fakti se Serxhio Perez është i treti me 85 pikë.

Në Spanjë Red Bull sakrifikoi edhe një herë ambicjet e meksikanit Perez, duke i kërkuar atij të mos pengonte garën e kolegut Vershtapen pas pit stop-it të tretë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë