Nga Gazeta 'SI' - Deputetët e opozitës i kanë ofruar qeverisë një "recetë" për trajtimin e profesionistëve të lirë, që parapaguan taksën tatim-fitimit, kundërshtuar më vonë nga Gjykata Kushtetuese.
Drafti i publikuar, që mban firmën e Jorida Tabakut dhe Gazment Bardhit, propozon që 5 mln eurot e paguara nga 6.542 profesionistë të lirë t'u llogaritet atyre për detyrimet e ardhshme, ose t'u rimbursohet.
Po ashtu për ato biznese me detyrime tatimore të papaguara për periudhën 1 Janar 2024- 30 Qershor 2024, sipas bazës ligjore të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, të cilëve u janë akumuluar kamatëvonesa, propozohet që administrate tatimore, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, të fshijë nga sistemi detyrimet tatimore së bashku me kamatëvonesat.
Në relacionin shoqërues të projektligjit thuhet se nga koha e hyrjes në fuqi të ligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat” deri në dhënien e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, rezulton se 6,541 tatimpagues që furnizojnë shërbime profesionale kanë parapaguar tatimin për periudhën 1 Janar 2024 deri me 30 Qershor 2024 në vlerën 500 mln lekë.
Ndërsa pjesa tjetër e tatimpaguesve rezulton të jetë ngarkuar me detyrime tatimore dhe për shkak të mos pagesës të jenë akumuluar edhe kamatëvonesa.
Nëpërmjet këtyre ndërhyrjeve sipas draftit të propozuar nga grupi parlamentar i opozitës, synohet që të përcaktohen rregullat se si do të trajtohen shumat e paguara nga profesionistët e lirë, si dhe detyrimet e papaguara dhe kamatëvonesat, të cilat janë akumuluar mbi nenin 69, pika I, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë, e Ligjit nr. 29/2023, të shfuqizuar me vendimin nr. 52, datë 27.06.2024 të Gjykatës Kushtetuese.
– Ndërhyrja e parë ka të bëjë me të gjithë tatimpaguesit që furnizojnë shërbime profesionale, të cilët kanë parapaguar tatimin për periudhën 1 Janar 2024 – 30 Qershor 2024, sipas bazës ligjore të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave rezulton se në këtë kategori janë 6,541 tatimpagues që kanë paguar një shumë prej 500 milionë lekë. Duke marrë për bazë modelin e përcaktuar në nenin 75, të Ligjit nr. 9920/2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”,
është parashikuar që administrata tatimore, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, i kalon shumat e paguara për llogari të detyrimeve të tjera tatimore, të papaguara nga tatimpaguesi.
Pas kësaj, me kërkesë me shkrim te tatimpaguesit, shuma e mbetur, nëse ka, rimbursohet në llogarinë e tatimpaguesit ose kalohet për llogari të detyrimeve tatimore të ardhshme të tatimpaguesit. Nëpërmjet këtij modeli synohet që shumat e tatimit të parapaguar nga profesionistët e lirë të kompensohen me detyrime të tjera tatimore aktuale apo të ardhshme, ose të rimbursohen në llogarinë e tatimpaguesit, sipas vullnetit të këtij të fundit.
-Ndërhyrja e dytë ka të bëjë më të gjithë tatimpaguesit që furnizojnë shërbime profesionale, të cilët janë ngarkuar me detyrime tatimore të papaguara për periudhën 1 Janar 2024- 30 Qershor 2024, sipas bazës ligjore të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Ministria e Financave nuk ka ofruar të dhëna sa i përket numrit të tyre apo shumës totale të detyrimeve tatimore. Këtyre tatimpaguesve për shkak të mospagimit të detyrimeve iu janë akumuluar edhe kamatëvonesa. Në këto kushte, propozohet që administrate
tatimore, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, të fshijë nga sistemi detyrimet tatimore së bashku me kamatvonesat. Këto ndërhyrje përbëjnë një zgjidhje përfundimtare të problematikës, që u krijua për shkak të aplikimit të tatimit 15% për profesionistët e lirë, duke filluar nga 1 janari 2024, i cili siç u shpjegua gjerësisht, u gjet nga Gjykata Kushtetuese në shkelje të neneve 4 dhe 2 të Kushtetutës. Për rrjedhojë u shfuqizua”, përcaktohet në relacion e projektligjit.
Propozimet e tyre janë konsultuar edhe me përfaqësues të profesioneve të lira.
Në relacionin e projektligjit të depozituar në Kuvend me tej sqarohet se sipas nenit 69, pika I, shkronja “dh”, të Ligjit, lehtësitë dhe përjashtimet tatimore të parashikuara në ligjin nr. 8348/1998 vazhdojnë të zbatohen. Kështu për individët tregtare, të vetëpunësuarit dhe entitetet, me të ardhura bruto deri në 14 milionë lekë në vit, norma e tatimit mbi të ardhurat 0%, do të aplikohet deri më 31 Dhjetor 2029.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.