Lojëra me Dore

Rebeli Agasi dhe revolucioni në tenis, 50 vjet mes ferrit dhe parajsës

Feston 50-vjetorin e lindjes Andre Agasi, ish-kampioni amerikan i tenisit, një personazh autentik brenda dhe jashtë fushe, një ikonë me 60 tituj ATP, 8 nga të cilët Grande Slam. Një sportist me një luk ekstravagant, me një fëmijëri të vështirë dhe një krizë të thellë humane e sportive në fund të viteve ’90. Pastaj rilindja, pas fundit të martesës me Bruk Shillds, Agasi gjen lumturinë e jetës me Stefi Graf.

Në karrierë ka fituar 60 tituj ATP, 8 turne Grande Slam (4 Australian Open, 2 Roland Garros, 1 US Open dhe 1 Uimbëlldon), duke qenë në udhëheqje të klasifikimit botëror për 101 javë dhe duke fituar 31 milionë dollarë nga çmimet e 150 milionë nga sponsorizimet. Është një nga 8 tenistët në histori që ka fituar “Career Grand Slam”, por edhe i vetmi që 4 Slam-eve u ka shtuar dhe “ATP Finals”, medaljen e artë të Lojërave Olimpike Atlanta 1996 dhe Kupën Devis. Andre Kirk Agasi, një nga tenistët më të fortë në histori, mbush sot 50 vjeç.

Andre Agasi. Gazeta Si, 29 prill 2020

Një gjeni i çrregullt, me flokë të çuditshëm, që hynte në fushë me pantallona xhins dhe me fanella me ngjyra, në antitezë me kampionët e Uimbëlldonit që kishin një veshje protokollare. Të gjitha këto e kanë bërë një ikonë sportive të viteve ’90. Një talent i jashtëzakonshëm nga Las Vegasi, ku lindi më 29 prill 1970. Karriera e gjatë e ish-kampionit amerikan është karakterizuar nga ulje dhe ngritje të forta. Në autobiografinë e tij, të titulluar “Open”, Agasi shkruan se “e ka urryer idenë e të luajturit tenis dhe se ka përjetuar një makth nga babai i dhunshëm”. Mike, ish-boksieri iranian që e donte kampion me çdo kusht, ishte babai i tij që ishte arratisur nga Irani dhe ishte bërë maxhordom në “Caesars Palace” të Las Vegasit. Ai i nguliti në mendje tenisin të birit, i cili nuk kishte zgjedhje tjetër, veçse të bëhej një kampion.

Dhe kështu, pa mbushur 16 vjeç në fillim të 1987-ës, Agasi theu murin e “top 100”-ës dhe dy vjet më pas ishin vetëm Uilander dhe Lendl para tij në renditjen botërore. Më 10 prill 1995, Andre u bë për herë të parë numri 1 i botës, pasi kishte kaluar 5 muaj në vend të dytë. Në mars amerikani kishte humbur finalen e “Indian Uells” kundër Pit Sampras, për të marrë hak ndaj tij në Majemi. Kaluan 14 ditë dhe nisi mbretërimi i Agasit, që do të zgjaste 30 javë.

Andre Agasi në vitet e para të karrierës. Gazeta Si, 29 prill 2020

E gjithë bota fliste për rebelin amerikan, ndërsa kundërshtarët e tij dhe të pasionuarit pas tenisit kishin filluar të njihnin zhdërvjelltësinë e tij të pabesueshme për ta gjuajtur para kohe. I shpejtë me këmbët dhe koordinimi perfekt e bënë atë të papërmbajtshëm në gjuajtjet e drejta, por arma më e fortë e tij ka qenë kthimi, që e bënte më agresiv në të dyja anët.

Agasi u bë numri 1 me një rekord të ri. Në 1995-ën bëri 26 fitore radhazi, por humbi finalen e US Open, pas së cilës do të shprehej: “Nuk ka rëndësi sa fiton, nëse nuk je i fundit që fiton, je një humbës. Në fund humbas gjithmonë, sepse është gjithmonë Pit”. Rivaliteti me patriotin e tij u dha jetë disa ndeshjeve spektakolare të viteve ’90. U ndeshën 34 herë mes tyre, me 20 fitore të Samprasit dhe 14 të Agasit. I futur në “International Tennis Hall of Fame”, më 9 korrik 2011, Agasi u tërhoq nga “US Open” i 2006-ës. Në prag të “Open France 2017” u bë trajneri i Novak Gjokoviç, nga i cili u nda në pranverë të 2018-ës. Që atëherë ka nisur një bashkëpunim me Grigor Dimitrov.

Përveç raporteve të turbullta më të atin, për jetën e Agasit është folur shumë në shumë aspekte, për jetën private, sidomos në fund të viteve ’90, kur pati atë rënie sportive dhe dukej se kishte perënduar. Nga martesa e palumtur me aktoren Bruk Shillds, te përdorimi i drogës. Në librin e tij, Agasi rrëfen se ka përdorur metanfetaminë gjatë periudhës kur jeta e tij ishte bërë e vështirë dhe se kishte gënjyer në ATP për të evituar skualifikimin, pasi kishte rezultuar pozitiv në një test antidoping. Në atë kohë ai tha se kishte pirë një koktejl vodke me një substancë të tillë që nuk e njihte.

Agasi dhe bashkëshortja e tij, tenistja Stefi Graf. Gazeta Si, 29 prill 2020

Dhe pastaj rilindja, si në jetën private, ashtu edhe atë sportive. Lidhja me kolegen Stefi Graf, kampionen gjermane, që më pas u bë bashkëshortja e tij dhe nëna e Jaden Gil e Jaz Elle, e ndihmoi të kthehej në formën perfekte në fushën e tenisit. Bëhet fjalë për nisjen e një karriere të dytë, me 3 finale Slam në të njëjtin vit, 1999-ën. Një Agasi që mahniste dhe në konferencat e shtypit, kur kujtonte me precizion çdo pikë të shënuar ndaj çdo kundërshtari. Agasi fitoi edhe 3 turne Slam nga 2000-a në 2003-shin, të tre “Australian Open”. Pas tërheqjes së rivalit të përjetshëm, duhej të përballonte Samprasin e ri, zviceranin Roxhe Federer. Dhe ishte pikërisht tenisiti nga Berna që e mundi në finalen e fundit Slam, atë të US Open të 2005-ës.

Agasi me një trofe të fituar. Gazeta Si, 29 prill 2020

Tani Agasi është kryetari i një fonacioni bamirës “Andre Agassi Foundation for Education”, i themeluar 8 vjet më parë dhe që ndihmon fëmijët e varfër në Las Vegas. Sot feston gjysmë shekulli jetë dhe pasi ka qenë një nga protagonistët më të mëdhenj, kërkon të mësojë të tjerët të luajnë tenis. Ai që e urrente këtë sport. Shumë urime, kampion!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë