Filma

Realiteti shqiptar i treguar në 90 minuta / ‘Pikë uji’ do na përfaqësojë në Oscar

Nga Gazeta Si- Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka zgjedhur filmin “Pikë uji” të Robert Budinës si filmi shqiptar përfaqësues në Oscar.

Pas thirrjes së hapur nga QKK, për të përfaqësuar vendin aplikoi vetëm shtëpia kinematografike ERA FILM me filmin artistik me metrazh të gjatë ‘Pikë Uji’.

Komisioni votoi unanimisht pro kandidaturës si përfaqësues i Shqipërisë, në kategorinë ‘International Feature Film në edicionin e 97-të të Çmimeve OSCAR’.

Pikë uji tregon dramën e shoqërisë shqiptare, ndërhyrjen e politikës edhe në temat më delikate si dhe pikëpyetjet e një nëne se deri në çfarë pike duhet të mbrojë të birin.

Historia ka në qendër dhunuesin, jo të dhunuarën (e cila nuk shfaqet në asnjë moment me fytyrë). Tregohet rrugëtimi i Aidës, një zyrtare me shumë pushtet në qytetin e vogël të Pogradecit e cila gjendet në një situatë dramatike pasi i biri adoleshent, Marku, arrestohet si i dyshuar për përdhunimin e shoqes së klasës.

Duke shfrytëzuar pushtetin dhe paratë, Aida tenton me dëshpërim të shpëtojë të birin por shumë shpejt gjendet kundër të gjithëve, përfshirë këtu bashkëshortin e saj dhe pronarin.

Ajo është tashmë në vorbullën e asaj që vetë ka krijuar. Aida shfaqet si një grua që ka hequr dorë nga dashuria e saj për të ndjekur paranë dhe pushtetin e shumë shpejt gjendet përballë Benit, i cili tashmë do të gjykojë Markun si prokuror i çështjes.

Në kërkim të së vërtetës, Aida kupton se bashkëpunëtor në krim është edhe Denisi, i biri i kryebashkiakut (njëherësh pronar i Aidës dhe shok i bashkëshortit të saj) dhe kështu fillon të kërkojë fajin tek ai.

Për të birin, të cilit në dukje shihet që ka zgjehdur ti qëndrojë afër vetëm me para’, Aida fillon të dyshojë tek pozicioni që ka ajo në lidhje me të drejtën. Edhe pse ndjen keqardhje për viktimën dhe do të bëjë “Nënë Terezën”, siç i thotë edhe bashkëshorti i saj, Aida na tregon se deri ku mund të shkojë një nënë për të mbrojtur fëmijën e saj. Aida shkon deri në pikën që tenton të blejë me para’ nënën e viktimës...

“Pikë uji” është një film që na tregon më së miri se si rastet e përdhunimeve mbyllen pa zë, pa rrëmujë kur në mes është pushteti i përdhunuesit, në këtë rast, pushteti i prindërve të tyre.

Janë dy adoleshentë arrogantë, aspak të ndjeshëm, aspak empatikë pikërisht sepse janë rritur në atë mënyrë.

Fundi i filmit nuk jep atë fundin e lumtur që të gjithë mund të duan për është një fund që pritet, për aq kohë sa gjithë filmi tregon realitetin shqiptar.

Të gjithë bashkë ulen në një tryezë, një Aidë ndryshe pasi ka parë fuqinë e pushtetit kur vetë është viktimë, kryetari i bashkisë që shkon të takojë një delegacion të huaj ndërkohë që lë të birin përdhunues duke qeshur dhe bërë shaka me shokun po ashtu përdhunues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë