Futboll

Reali magjik në Champions, i tregon ‘parajsën’ Liverpulit dhe pastaj ‘ferrin’

Gazeta Si – Fitore e madhe e Real Madridit në Liverpul, 2-5. Një përmbysje specialistësh nga skuadra e Karlo Ançelotit, që në Champions nuk fal. Liverpuli poshtërohet para tifozëve të tij dhe është thuajse i eliminuar. Napoli fiton 0-2 në Gjermani.

Liverpuli e nisi ndeshjen në ‘parajsë’, por qëndroi aty vetëm 15 minuta, sepse më pas shkoi në ‘ferr’. Darvin Nunjez me një finte të bukur u dha avantazhin anglezëve, pastaj Salah përfitoi nga gafa e Kurtua për të shënuar golin e dytë. Por shumë shpejt buzëqeshja e vendësve do të ngrinte, pasi do të vinte përmbysja e madhe spanjolle.

Vinicius mbajti Realin në lojë, duke shkurtuar diferencën fillimisht dhe më pas duke barazuar me gafën e patriotit të tij Alison, që mbron portën e Liverpulit. Gjithçka në baraspeshë, ndërsa në të dytën erdhi fundosja e skuadrës së Klop.

Militao shënoi golin e tretë të Realit sapo nisi pjesë e dytë, duke shfrytëzuar një kros në zonë të Modriç. Edhe kapiteni Benzema do të vinte firmën e tij në goleadën e ‘galaktikëve’. Francezi shënoi 2 gola në pak minuta, në rastin e parë i ndihmuar nga devijimi i Gomez dhe të dytin pas një kundërsulmi vrastar me protagonist Modriç.

Kapitullim i turpshëm për Liverpulin, që me humbjen 2-5 i lan duart me Championsin, edhe pse në futboll gjithçka mund të ndodhë.

Në ndeshjen tjetër, Napoli tregoi se jo më kot po shkon drejt titullit të sigurt në Serinë A. Italianët bënë diferencën, duke fituar 0-2 në Gjermani ndaj Eintraht Frankfurtit. Osimhen dhe Di Lorenco shënuan golat e fitores për skuadrën e Spaletit, ndërsa Kvaratshkelia humbi një penallti në pjesën e parë.

Gjermanët luajtën me 10 vetë për më shumë se gjysmë ore, pasi Kolo Muani u ndëshkua me karton të kuq. Kualifikimi duket i garantuar për Napolin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë