Kjo merkato vere pritet të ketë një kryefjalë të vetme, Ajaksi. Ekipi holandez ka mahnitur gjithë Europën me lojën e tij këtë sezon në Ligën e Kampionëve, ku është shumë pranë kualifikimit për në finale. Një skuadër që luan bukur dhe e mbushur me talente, por që me shumë gjasa do të pësoj një ndryshim shumë të madh gjatë merkatos. De Jong, De Lajt, Tadiç, Ziesh, Van de Bek, Taljafiko janë vetëm disa nga “xhevahirët” e Ajaksit që po bëjnë gati valixhet, pasi ekipet më të mëdha të Europës kanë nisur interesimin për ta.
Dy gjigandët spanjollë, Barcelona dhe Real Madrid janë skuadrat që pritet të bëjnë më shumë shpenzime për të marrë lojtarë te Ajaksi. Barcelona në fakt e ka bërë goditjen e parë, pasi De Jong është një lojtar “blaurgana” për shkak se e firmosi parakontratën që në muajin janar. Përveç mesfushorit, Barcelona interesohet edhe për kapitenin e Ajaksit, Matias De Lajt. Drejtuesit katalanas mësohet se i kanë nisur kontaktet për holandezin që në muajin janar, por nuk do e kanë shumë të lehtë për ta marrë 19-vjeçarin. Në garë për të marrë shërbimet e De Lajt, ka hyrë edhe Real Madrid. Sipas gazetës spanjolle, “Marca”, ekipi madrilen ka shprehur interesimin për dy futbollistë të Ajaksit, De Lajt dhe Van De Bek. Të dy talentet e rinj janë ndjekur me vëmendje nga Zidan, i cili ka rënë dakord që t’i afrojë në ekip që të dy, si pjesë qendrore të revolucionit që do të bëjë “Los Blancos” në verë.
Për yjet e tjerë, si Tadiç, Ziesh, dhe Taljafiko gjithashtu kanë shprehur interesim disa ekipe me peshë në Europë, si Juventusi, Totenhami, PSG dhe Inter që do të provojnë të hyjnë në ankandin që Ajaks do të hapë në qershor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




