Futboll

Real Madrid tronditet në shtëpi nga Sociedad

Duket sikur efekti Solari ka përfunduar dhe tashmë Real Madrid do duhet të ballafaqohet sërish me krizën e rezultateve të dobëta. Skuadra madrilene është mposhtur këtë të diele në shtëpi nga Real Sociedad me rezultatin e pastër, 0-2. Humbja vjen pas barazimit në javën paraardhëse dhe konfirmon edhe një herë startin e keq që “Los Blancos” i kanë bërë vitit 2019.

Modestët e Sociedat e kishin marrë shumë seriozisht këtë përballje dhe arritën ta gjenin golin që në minutën e 3’. Ishte Hoze që nga pika e bardhë e penalltisë nuk gaboi dhe kaloi në avantazh miqtë dhe njëkohësisht shokoi Realin e Madridit. Pritej reagimi nga vendasit, që gjatë gjithë pjesës së parë do të ishin të vaktë në sulmet e tyre.

Edhe në pjesën e dytë Real Madrid e kërkoi me çdo kusht barazimin, por pa sukses. Skuadra e Solarit e rriti akoma dhe më shumë presionin në portën e miqve, por pa arritur deri te goli. Që nga minuta 61’ Real Madrid do të mbetej me një lojtarë më pak dhe nga kjo situatë përfitoi më së miri Sociedad që filloi të dalë disi më shumë nga mbrojtja. Në minutën e 83’ do të vinte edhe goli i sigurisë për Real Sociedad. “Los Blancos” nuk mundën dot të bënin asgjë për ta shmangur këtë turpërim në “Santiago Bernabeu”.

Me këtë disfatë Real Madrid tashmë e shikon veten akoma dhe më larg nga kreu i La Liga, pasi është 7 pikë më pak se Barcelona. Ndërkohë në ndeshjen tjetër të La Liga, Atletiko Madrid barazoi me vendin e tretë në renditje, Sevilja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë