Gazeta Si – I pari është një “self-made man”, inxhinier, i aftë t’i ngjitë shkallët e cikleve të mira, kurse i dyti një ish-tenist që u kthye në pikë referimi të fondit sovran të Katarit.
Yjet e futbollit ndërkombëtar si kundërshtarë në fushë dhe dy botë të ndryshme të të kuptuarit të pasurisë dhe synimit të majës, ulur pranë njëri-tjetrit në tribunë. Real Madrid kundër PSG-së është edhe një sfidë e koncepteve të sipërmarrjes mes Florentino Perez dhe Naser Al-Khelaifit. Është 75 vjeç madrileni, presidenti i Realit, 48 vjeç katarioti, president i PSG-së.

I pari i ka bërë gjërat vetë dhe ka qenë i aftë të ngjitë shkallët e suksesit, duke dallgëzuar mes politikës dhe biznesit të ndërtimit. I dyti është një ish-tenist, që e ka kaluar valën e zhvillimit ekonomik në perlën e gjirit Persik, duke u shndërruar në një simbol të fondit të Katarit.
Perez ka një koncept vertikal të fuqisë: klubet e mëdha duhet të shfrytëzojnë të gjitha levat ekonomike për t’u rritur sa më shumë. Është e natyrshme që në mendjen e tij Superliga është një projekt i bekuar. Al-Khelaifi nga ana tjetër ka përdorur hapësirat e errëta normative për të aktualizuar efektet e ‘fair play’-it financiar, duke imponuar një kundërpozicion ndaj të mëdhenjve të Europës.

Për të, Superliga duhet ‘djegur’. Për momentin duket se ia ka dalë dhe është siguruar edhe si drejtuesi më i lartë i ECA-s, edhe pse çështjet ligjore vazhdojnë ta torturojnë.
Një njëra anë inxhinieri aristokrat i rritur gjatë dhjetëvjeçarëve, në anën tjetër menaxheri i pasuruar për një kohë të shkurtër: një ballafaqim vlerash më shumë se ekonomik. Mes atij që e ka kërkuar tapetin e kuq dhe atij që e ka gjetur të shtruar, falë pasurisë së akumuluar sa hap e mbyll sytë.
Sipas të dhënave të “Forbes”, pasuria personale e Al-Khelaifi shkonte më 6.2 miliardë dollarë para pandemisë, ndërsa pasuria aktuale e Perezit shkon në 1.9 miliardë dollarë. Të përbashkët kanë vizionin e klubit perfekt: disa yje së bashku për të recituar në kuadratin e blertë. Futbollistë të njohur dhe shumë të paguar, që ushqejnë biznesin e të ardhurave, por edhe që kanë peshë të madhe në totalin e kostove.

E gjitha kjo në një sistem që vuan për të qëndruar vetë dhe që ka nevojë të vazhdueshme dhe ‘injeksione’ likuiditeti nga ana e pronarëve. A do të darkojnë bashkë pas ndeshjes në “Bernabeu”? Nëse po, me siguri do të paguajë i zoti i shtëpisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




