Futboll

Real Madrid pa frena, zbulohen shifrat e investimit gjigant për Mbape dhe Haland

Edhe 42 ditë. Pak më shumë se një muaj dhe Real Madrid më në fund mund të njoftojë blerjen e Kilian Mbape. Sipas rregullores, mund ta bëjë më 1 janar, por do të ishte pak elegante, larg stilit madrilen. Mund të bëjë më pas, ndoshta edhe me kërkesën e vetë lojtarit, që dëshiron ta mbajë një marrëdhënie sa më qytetare me PSG-në deri më 30 qershor 2022.

Aktualisht, raporti mes klubi spanjoll dhe atij francez nuk është edhe aq i mirë. Leonardo nga një anë, Florentino Perez nga ana tjetër. “Kemi arritur në një moment, ku ofron 200 milionë për një lojtar dhe nuk ta shesin, – ka thënë të mërkurën presidenti i Real Madridit. – Kjo është çmenduria e klubeve që administrohen nga shtetet”.

Kilian Mbape. Gazeta Si, 19 nentor 2021

Kilian Mbape do firmosë te Real Madrid një kontratë, nga e cila do të përfitojë 25 milionë euro neto në sezon, pak a shumë e njëjta shifër që i ka ofruar edhe PSG-ja për rinovimin.

Një peshë specifike ndryshe mund të ketë edhe ai që me shumë mundësi do të jetë sulmuesi i së ardhmes te Real Madrid, Erling Haaland. Shifra e 200 milionëve që Florentino Perez e kurseu në gusht, pas refuzimit të PSG-së për Mbape, mund të investohet verën e ardhshme për sulmuesin norvegjez të Borusia Dortmund.

Haland feston tripletën e parë sezonale. Gazeta Si, 19 nentor 2021

Kjo shumë mjafton për të paguar 75 milionë eurot e klauzolës për prishjen e kontratës me klubin gjerman. Mund të bëhet 90 milionë kjo shifër, nëse shtohen bonuset që lidhen me paraqitjen e lojtarit. Rreth 30 milionë ndërkohë janë të destinuara për agjentin e sulmuesit, Mino Raiolën, si komision për transferimin.

Një investim prej më shumë se 100 milionësh, pa llogaritur pagën e Haland, me shumë mundësi rreth 15 milionë euro në sezon, dyfishi i asaj që merr në Dortmund. Me atë dhe Mbape, të paktën në sulm, Real Madrid mund të rrijë i qetë për një 10-vjeçar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë